Politike

Aleanca Shqipëri-Kosovë-Kroaci, zbardhet deklarata e përbashkët! Vengu: Serbia po viktimizohet

Ministria e Mbrojtjes publikoi sot deklaratën e përbashkët të firmosur në Tiranë më 18 mars nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes që ngjalli dhe reagimet e Serbisë dhe të Malit të Zi.

Deklarata ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike.

Në deklaratë janë identifikuar 4 pika, nga investimi tek bashkëpunimi për blerjen e kapaciteteve mbrojtëse, shkëmbim të informacioneve të inteligjencës për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet përkatëse.

Po kështu parashikon trajnime dhe bashkëpunim në edukimin ushtarak si dhe mbështetje Kosovës për perspektivën e saj në NATO.

Në një reagim në rrjetin social X, ministri Vengu iu përgjigj dhe presidentit Aleksandër Vuçiç duke i kujtuar se ka qenë Beogradi që ka ndjekur politikën e karriges bosh dhe se “ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.

Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dëm të fqinjeve, siç e kanë pasur shtete të tjera” thekson Vengu.

Deklarata e 18 marsit u firmos nga ministrat e mbrojtjes Pirro Vëngu, ministri i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat Ivan Anusiç. Një ditë më parë Mali i Zi deklaroi se nuk ishtë ftuar që të bëhet pjesë e saj deklaratës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Ndërkohë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se me nënshkrimin e deklaratës në fushën e mbrojtjes, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armatimi në rajon dhe kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Deklarata e plotë e përbashkët

Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal,

Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,

Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar,

Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës”

Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë