Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të përjashtuar nga trupa e gjykimit kryetaren e kësaj gjykate, Vitore Tusha.
Kërkesa e depozituar nga Aleanca bazohet te dy nene të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Ligji thotë në nenin 36 se gjyqtari heq dorë nga një shqyrtimi dhe vendimmarrja për një çështje në rastet kur paanshmëria e tij është vënë në diskutim.
Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit me takimin e zhvilluar me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca më datë 16 qershor para nisjes së seancës së radhës për Teatrin, paanshmëria e Vitore Tushës është vënë në diskutim.
Në nenin pasues, atë 37 parashikohet e drejta e palëve për të kërkuar përjashtimin e një gjykatësi në rastet kur vetë gjykatësi refuzon të dorëhiqet nga çështja. Pika dy e këtij neni thotë se gjykatësi përjashtohet nga çështja me vendimin e shumicës së anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Vetë gjyqtari nuk merr pjesë në këtë votim dhe në këtë rast, për Vitoren Tushën do të vendosin gjashtë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse vota ndahet 3 me 3, Tusha cilësohet e përjashtuar nga kjo çështje.
Aleanca thotë se ngre me të drejtë këtë shqetësim për shkak të mbajtjes së fshehtë të takimit mes Ambasadorit Luigi Soreca dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, ndërsa thotë se reagimi i papjekur e i nxituar i delegacionit të BE në Tiranë heq të gjitha dyshimet në lidhje me tematikën e këtij takimi.
Aleanca thotë se takimi mes kreut të BE në Tiranë me kreun e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shihen dhe trajtohen si çështje private, jashtë kushtit zyrtar të transparencës formale, jashtë rezonimit publikut.
Ndaj SPAK përsëritet kërkesa për të sekuestruar kamerat e sigurisë dhe të hetojë për takimin për të mësuar nëse ky takim ka qenë i planifikuar, ku është protokolluar kërkesa për takim dhe pse u zhvillua në ditën e seancës së teatrit, kush ka qenë objekti i bisedimeve dhe psenuk u bë publik takimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.