Muzike

“Anima Rara” i Ermonela Jaho, i pari në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, me albumin e saj “Anima Rara” fitoi çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale nga ICMA (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike).

Ndërsa ka shkëlqyer në skena të ndryshme me rolet në veprat e njohura operistike në botë, së fundmi sopranoja shqiptare me famë botërore me albumin e saj “Anima Rara” ka fituar në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike.

Të mërkurën sopranoja e njohur Ermonela Jaho bëri të ditur lajmin përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku mes të tjerave në fjalët e saj ajo shprehu edhe mirënjohje për të gjithë ata që ishin bashkëpunëtorë në këtë projekt të saj, në fushën e muzikës.

“Jam shumë e lumtur t’ju lajmëroj se albumi “Anima Rara” ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale në ICMA (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike). Dua të falënderoj ICMA për nderimin dhe gjithashtu të shpreh vlerësimin tim ndaj ekipit të Opera Rara dhe kolegëve të mrekullueshëm, që bashkëpunuan me mua për të sjellë në jetë këtë muzikë të mrekullueshme. Kemi kuptuar përgjatë kësaj kohe se sa na nevojitet arti dhe sa e vështirë është që të krijohet. Ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Ju dua të gjithëve”, do të shkruante sopranoja e njohur Ermonela Jaho për këtë vlerësim.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti, me anë të një postimi në “Facebook”, çmon kontributin e artistes me famë botërore dhe thotë se ne shqiptarëve na bën krenar në cdo hap të saj.

“Ermonela Jaho është padyshim një artiste drithëruese, një shpirt dhe talent i rrallë, që na bën krenarë në çdo hap të saj.

Shumëkush do të thotë se nuk kemi asnjë meritë në suksesin e saj, kjo është e vërtetë: ajo është personifikimi i këmbënguljes dhe sakrificës.

Por nuk mund të mos ndajmë me të kënaqësinë për arritjen e saj më të fundit. Albumi ‘Anima Rara’ ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale nga ICMA – Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike”, shkruan ministrja Margariti.

Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020. “Anima Rara”, albumi recital debutues nga Ermonela Jaho, eksploron muzikën e kënduar nga Rosina Storchio, një nga sopranot lirike më ekspresive të epokës së verismo-s. Sopranoja Ermonela Jaho këndon ariet e disa nga operave që e kanë bërë të famshme si “Madama Butterfly” e Puccini-t, “La Bohmeme” e Leoncavallo-s, “Siberia” e Giordano-s, “Lodoletta” e Mascagni-t dhe “La Traviata” e Verdi-t, e shoqëruar nga “Orquestra de la Comunitat Valenciana”, nën drejtimin e dirigjentit Andrea Battistoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë