Për 3-mujorin e parë të vitit 2021, kompania shtetërore e naftës “Albpetrol” nuk ka nxjerrë sasinë e parashikuar të naftës duke regjistruar një humbje prej 119.4 mln lekësh, me të ardhura 772.9 mln lekë. Shpenzimet për të njëjtën periudhë raportohen në 891.5 mln lekë.
Për periudhën janar-mars është nxjerrë vetëm 130 ton naftë nga 19.840 ton që ishte plani dhe 28 ton gaz nga 191 ton që ishte parashikuar. Në total, nga puset e administruara nga “Albpetrol” është prodhuar vetëm 0.8% e planit.
Investimet në këtë fushë janë po ashtu shumë larg parashikimeve, duke u realizuar vetëm në masën e 1% të planit. Për 3 muajt e parë të vitit janë shitur vetëm 4.000 ton naftë, 10% e sasisë së parashikuar, ndërkohë që çmimi mesatar rezulton 30.070 lekë, 101.9 lekë më shumë se sa parashikimet.
Prodhimi total, ku përfshihen edhe kompani të tjera u realizua në masën 33.9% të planit. Përgjatë kësaj periudhe u prodhua 10.172 ton naftë, apo 19.840 ton më pak se parashikimi, si dhe 162 ton gaz më pak se parashikimi.
Aktiviteti i nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka nxitur dhe më herët debate se si nuk funksionon si duhet për shkak të keq menaxhimit nga kompania shtetërore. Një muaj më parë, u lajmërua një protestë që nuk u zhvillua për shkak të rritjes së çmimit të lëndës djegëse për një kohë të shkurtër, lidhur dhe me zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




