Tjetër lëvizje pilotësh në Formula 1. Pas Xhorxh Rasellit te Marcedesi, edhe skuderia Uilliams kompleton dyshen e saj: përkrah Nikolas Latifit në 2022-shin do të jetë Aleksander Albon. Tajlandezi, i cili humbi vendin te Red Bull-i në fund të Botërorit 2020, kur u zëvendësua nga Serxhio Perez, do të ketë një mundësi të re për të treguar veten me Ulliamsin, që ka motor Mercedesi.
Albon do të marrë vendin e Xhorxh Rasell, që kaloi te Mercedesi për të zëvendësuar Valteri Botasin. Në 2021-shin Albon ka qenë bashëkpunëtor dhe pilot rezervë për Milton Keynes, duke marrë pjesë edhe në kampionatin Dtm, ku ka fituar garën e Nurburgring.
Interesant është fakti se skuadra e parë që dha lajmin për kalimin e Albon tek Uilliamsi ishte Red Bull-i, edhe pse tajlandezi është tashmë pjesë e një skuadre që kontrollohet nga Mercedesi. 25-vjeçari Albon ka garuar si për Red Bull-in, ashtu edhe për Toro Rosso në periudhën 2019-2020, duke qenë dy herë në pod dhe duke marrë pikë në gara të tjera.
“Mezi po pres të kthehem të garoj në Formula 1 në 2022-shin, – ka thënë piloti anglo-tajlandeez. – Kur qëndron një vit jashtë F.1 nuk është kurrë e sigurt se mund të kthehesh. I jam shumë mirënjohës Red Bull-it dhe Uilliamsit që kanë besuar tek unë, duke më ndihmuar në udhëtimin e kthimit”. Mbetet kështu vetëm një sedilje bosh për sezonin e ri, ajo e Alfa Romeo-Sauber, me Antonio Xhovinacin që duhet të vendosë të ardhmen me skuderinë zvicerane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




