Futboll

Albion Rrahmani, sulmuesi shqiptar që bëri historinë në Rumani

Nga Gazeta Si- Ai ishte shënuesi më i mirë në futbollin kosovar ku fitoi dy tituj me fanellën e Ballkanit. Në Ligën e parë të Rumanisë zhvilloi 28 ndeshje me Rapidin e Bukureshtit në të cilat shënoi 18 gola dhe shërbeu 6 asists ndërsa me dardanët e Kosovës ka zhvilluar 7 ndeshje. Quhet Albion Rrahmani dhe prej fillimit të këtij sezoni luan me Spartën e Pragës ku ka shënuar 4 gola.

Pak ditë më parë ai u zgjodh Lojtari i Huaj më i Mirë në Rumani. Një çmim që jepet prej vitit 2008 dhe për të votojnë trajnerët dhe lojtarët e futbollit amator dhe profesionist. Rrahmani bëhet shqiptari i parë që merr një vlerësim të tillë, në futbollin rumun dhe jo vetëm si dhe lojtari i dytë nga Rapid i Bukureshtit që votohet nga kolegët e tij.

Albion Rrahmani, shënuesi më i mirë në futbollin Kosovar.

Drejtori Sportiv tek çekët, Tomas Rosicky vëren tek Albioni potencialin për tu zhvilluar më tej në fushat e futbollit. I përgjigjet tipologjisë dhe filozofisë çeke dhe statistikat e mëhershme tregojnë se mund të jetë produktiv, duke shënuar por edhe krijuar mundësi për shokët e skuadrës. Ai është gati të përfshihet në sulm gradual por edhe në kundërsulm duke rritur presionin tek kundërshtari në përmirësim të vazhdueshëm të stilit të lojës.

Rrahmani e filloi karrierën tek Akademia e KF Llapi dhe më pas luajti për skuadra të vogla në kategoritë e ulëta të futbollit në vendlindje. Në vitin 2021 ai u transferua nga Malisheva te Ballkani me të cilin luajti për dy sezone në Superligën e Kosovës. Në të parin qëndroi më shumë në stol por golin e parë e shënoi ndaj ish skuadrës, Malisheva. Ndërsa Ermal Krasniqi i dërgoi shifrat në 2-0 por në atë moment asnjëri prej tyre nuk e dinte se do të luanin së bashku edhe në skuadra të tjera. Në përfundim të sezonit, Ballkani fitoi titullin e parë kampion në historinë e klubit.

Ata e mbrojtën titullin një sezon më pas dhe Albioni çimentoi pozicionin e tij në formacion duke shënuar 21 gola që mjaftuan për ta shpallur Shënuesin më të Mirë në kampionat. Rrahmani shënoi edhe 7 gola të tjerë në kualifikueset e “UEFA Europa Conference League”.

Në fazën e grupeve Ballkani u përball me CFR Cluj, Sivasspor dhe Slavia-n e Pragës. Në përfundim grumbulloi 4 pikë që nuk mjaftuan për t’u kualifikuar në fazën play-off. Albion Rrahmani shërbeu dy asists, një prej të cilëve kundër Slavia-s.

Pas atij viti futbollistik, në verën e vitit 2023 u transferua te Rapid i Bukureshtit për 600 mijë euro (që shkuan në 1.35 milionë për shkak të bonuseve), duke u bërë lojtari më i shtrenjtë nga kampionati kosovar. Formën dhe paraqitjet pozitive i ruajti edhe në Rumani ku debutoi në 25 Gushtin e kaluar në fitoren ndaj FCU Craiova në transfertë. Në kampionatin atje shënoi 17 gola dhe shërbeu 5 asists. Këto shifra i realizoi pavarësisht mungesës për shkak dëmtimi në periudhën Tetor-Dhjetor 2023.

Në Janarin e këtij viti ai u ritakua me Ermal Krasniqin që u transferua në Bukuresht nga Cluj. Të dy dardanët e udhëhoqën Rapid-in drejt vendit të dytë përpara raundit play-off ndërsa Albioni vazhdonte të luante me përfaqësuesen e Kosovës. Në merkaton e verës ai pati shumë transferta, përfshi edhe atë nga Glasgow Rangers por vendosi të transferohej në një tjetër skuadër historike, atë të Spartës së Pragës. Brenda një sezoni kartoni i tij u rrit me më shumë se 8 herë, mori numrin 10 dhe debutoi me gol më 27 Gusht në fitoren 2–0 ndaj Malmo FF në play-off-in e UEFA Champions League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë