Kosova

Albin Kurti tërhiqet nga ambasadori “problematik” në Shqipëri

Pas reagimeve të ashpra në Tiranë si edhe Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka tërhequr propozimin për të emëruar në Shqipëri si ambasador të Kosovës Idriz Zeqirajn. Në vend të publicistit që jeton në Gjermani, Kurti ka caktuar si ambasador në Tiranë, Skënder Durmishin, ish ambasadorin e Kosovës në Malin e Zi. Durmishi është një diplomat karriere, i njohur për marrëdhëniet e mira me politikanë dhe udhëheqës të rajonit. Ambasadori Durmishi ka shërbyer në Shkup, në Podgoricë dhe për disa muaj ka ushtruar detyrën e sekretarit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Vendimi për zgjedhjen e Durmishit vjen pasi ish-Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka përfunduar misionin e tij në Tiranën më 30 gusht, me urdhër të qeverisë Kurti. Me largimin e tij, mediat në Kosovë raportuan se qeveria kishte zgjedhur si paues Idriz Zeqirajn

Emri i tij mësohet se ishte propozuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Zeqiraj, i akuzuar në të shkuarën si i infiltruar i UDB-së në radhët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar gjatë diktaturës, është një figurë e kritikuar ashpër brenda jetës publike në Kosovë pasi kërkonte që aeroportit të Prishtinës t’i hiqej emri i Adem Jasharit sepse sipas tij, ky ishte thjesht një hero lokalist i mbivlerësuar.

Pas kritikave ndaj figurës së heroit legjendar Adem Jashari, Zeqiraj është përfshirë në një fushatë të ashpër kundër kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Në shkrimet e tij, Zeqiraj etiketon dhe akuzon si bashkëpunëtor të Serbisë dhe Presidentit Serb, kryeministrin Rama.

Në shkrimet e shumta të tij, Shqipëria, konsiderohet shtet bashkëpunëtor i kriminelëve serbë në kurriz të Kosovës. “E gjithë kjo kronologji e zezë, tejet domethënëse, të goditjeve, në vijimësi, të dhënë Kosovës, nga shteti amë, së fundi, na japin produktin – monstrumin Rama, për t`u mos u ndërprerë tradita e bashkëpunimit me shtetin armik, Serbinë, gjithnjë, në dëm të Kosovës”, deklaron Zeqiraj në media.

Madje Zeqiraj, teksa komenton nismën Ballkani i Hapur, del në përfundimin se kjo nismë i shërben fuqizimit të Presidentit Serb Aleksandër Vuçiç me ndihmën e Edi Ramës. Idrizaj po ashtu akuzonte Shqipërinë për plane të errëta ndaj Kosovës, duke përdorur epitete fyese mbi kryeministrin  Rama.“Kryeministri Rama, është i paparashikueshëm në shumë veprime të tij. Kaq qënë i guximshëm në shkatërrimin e procesit zgjedhor për të grabitur në mënyrë të turpshme mandatin e tretë. Projekti Rama-Vuçic, për “Ballkanin e hapur” ka dëmtuar marrëdhëniet normale Kosovë-Shqipëri”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë