Kosova

Albin Kurti përplaset ashpër me Aleksandër Vuçiç. Presidenti serb: S’e njoh kurrë Kosovën

“Kur do ta njohësh Kosovës?” Kjo duket të ketë qene pyetja e parë e kryeministrit Albin Kurti për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, me të cilin u takua sot për herë të parë në Bruksel.

Pas një sërë përplasjesh në distancë, dy udhëheqësit duket se janë përplasur ashpër edhe gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i unionit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenti Vuçiç ka qene i pari që ka dhënë detaje nga takimi, duke thënë se Kurti i ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Ai më tha se ka ardhur të më pyeste se kur do ta njoh pavarësinë e Kosovës, përgjigja ime ishte kurrë, më pas ai shpërtheu”, tha presidenti.

Pas tij, ai që ndau detaje nga përplasja mes tyre ishte Kurti, i cili ka treguar propozimet që ka pasur pala shqiptare për vazhdimin e dialogut. Në një postim në Facebook, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se në takim ka shprehur gatishmërinë për dialog që do të përfundonte me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kurti theksoi megjithatë tha se katër kushtet e propozuara refuzuan nga pala serbe.

Ai ka propozuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë menjëherë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do të sulmojnë njëra-tjetrën, por kjo nuk është pranuar nga presidenti serb.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka propozuar mes të tjerash Kurti.

Me pas kreu i qeverisë së Kosovës  ka hedhur idenë që 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë në përfshirjen e marrëveshjes së CEFTA-s në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE-në. Ky propozim duket se vjen në përpjekje për të hedhur poshtë idenë e Mini-Shengenit Ballkanik.

Kryeministri është ndalur po ashtu tek çështjen e të zhdukurve me dhunë, duke kërkuar të merret në pyetje kreu i delegacionit serb, Veljko Odalovic, i cili në vitet 1997-1999, ishte “përgjegjës i qarkut të Kosovës”.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiç dhe Selakovic, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, shkruan Kurti, duke njoftuar se pasdite Borrell takohet me Presidentin Biden.

Takimi i radhës me dy udhëheqësve duket se do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik.

Duke folur për marrëveshjen eventuale me Serbinë, Kurti tha se nuk është pesimist dhe shtoi se duhet të shfrytëzohet momenti, kur në SHBA ka nisur mandati i presidentit Joe Biden dhe në Kosovë qeveria që ai udhëheqë është në ditët e para, në mënyrë që të finalizohet marrëveshja. Por presidenti i Serbisë tha se nuk ka rënë dakord me Kurtin "absolutisht për asgjë".

"Ata erdhën që të merren vesh për asgjë, absolutisht për asgjë", u tha gazetarëve Vuçiç pas takimit me Kurtin. Ai ka thënë se Kosova nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar.

“Pra, nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviçit”, ka thënë Vuçic.

Por Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet, sepse është kundër interesit të Kosovës. Kurti tha se nuk do që në Kosovë të përsëritet skenari i Bosnje-Hercegovinës.

Asociacioni nuk është për serbët, por është kundër Kosovës. Ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar ndaj pakicës, por nuk duam të përsëritet skenari i Bosnje e Hercegovinës”, u shpreh Kurti. Ai tha se Serbia duhet të merret me propozimet që Kosova paraqiti në takim.

“Ne e sqaruam shumë mirë. Nuk mund të merremi me ide të vjetra, por i ftojmë ata të merren me propozimet tona”, tha Kurti.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, tha nga ana tjetër se takimi midis kryeministrit Kurti dhe presidentit serb nuk ishte i lehtë.

“Nuk ishte një takim i lehtë, por më e rëndësishmja është që ai ka ndodhur. Të dy udhëheqësit ishin të qartë se çfarë dëshironin, të dy udhëheqësit konfirmuan se nuk ka asnjë alternativë për të dy palët pa normalizimin e marrëdhënieve. Të dy janë të përkushtuar të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut, "tha Lajcak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë