Nga Gazeta 'Si'- Albin Kurti nuk iu përgjigj ftesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për t’u intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit.
Zyra e Kurtit njoftoi Prokurorinë Speciale se kryeministri Albin Kurti gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar dhe nuk ka mundësi t’i përgjigjet ftesës për dëshmi.
Prokuroria Speciale do të përgatisë një ftesë tjetër në një datë tjetër. Për Prokurorinë Speciale ky arsyetim është i qëndrueshëm.
“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal ku kjo Prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti PSRK është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. PSRK-ka konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridona Kozmaqi.
Megjithatë Kurti ka shprehur gatishmërinë që t'i presë prokurorët e rastit në zyrën e tij. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë.
Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeziu.
Aktualisht Kurti ndodhet në Slloveni.
Ftesën e Prokurorisë Speciale për Kurtin e bëri publike ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kryeziu kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.
Dokumenti zyrtar thekson se mungesa e pajustifikuar për këtë thirrje mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjoba deri në 250 euro ose masën e shoqërimit me forcë nga autoritetet përkatëse.
Ftesa është nënshkruar nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi.
Sipas ftesës së prokurorëve, Kurti është thirrur të dëshmojë në një rast për një vepër penale nga neni 414 i Kodit Penal, i cili ka të bëjë me keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Mirëpo, nuk dihen detaje të mëtejshme për çfarë çështje konkrete është ftuar Kurti në intervistim, por kjo thirrje ka ngjallur interes të madh publik dhe mediatik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.