Analize

Albin Kurti fituesi i zgjedhjeve, por humbës në negociatat me Isa Mustafën

Isa Mustafa nuk do të pranojë të shkojë në qeveri me Albin Kurtin pa marrë gjithcka përveç postit të kryeministrit. Deri më tani, kreu i Vetëvendosjes dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë mbajtur tre takime, por Mustafa duket se nuk ka pranuar të vulosë formimin e qeverisë pa i siguruar partisë së tij përparasi politike në të gjitha drejtimet.

Tanimë në Kosovë është bërë e qartë se humbësi i madh i këtyre negociatave është fituesi i zgjedhjeve të parakoshme të gjashtë tetorit. Albin Kurti po përballet tanimë edhe me presionin e kohës, pasi presidenti Hashim Thaci i ka kërkuar publikisht të vendosë nëse do ta marrë apo jo mandatin për kryeministër.

Deri para takimit të së enjtes, të gjithë ishin shpresëplotë për formimin e qeverisë. Mustafa dhe Kurti kishin rënë dakort, të paktën sipas raporteve të mediave në Kosovë, që LDK-ja të merrte gjashtë ministri, VV-ja katër, plus kryetarin e Kuvendit që tashmë e ka zgjedhur, dhe një ministri do t’u mbetej minoriteteve. Por skema e marrëveshjes duket se ndryshoi pas takimit të djeshëm, kur si Mustafa ashtu edhe Kurti, dolën të heshtur përpara mediave pa pranuar të japin detaje.

Pas tre muajsh negociata mes dy partive, tanimë është bërë e qartë se ajo që mban celësin e formimit të qeverisë është LDK-ja, e cila ka prezantuar të enjten një ofertë te re.

Fillimisht Isa Musfafa bllokoi për dy muaj bisedimet duke kërkuar me çdo kusht postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës. Me fillimin e 2020-ës, ai jo vetëm që nuk hoqi dorë nga kjo kërkesë, por arriti t’i sigurojë partisë së tij një marrëveshje ku merr edhe Ministrinë e Brendshme, edhe Ministrinë e Jashtme, por as kjo nuk duket të ketë qenë e mjaftueshme.

Isa Mustafa dhe Albin Kurti.Gazeta Si, 2020

LDK do kreun e Kuvendit

Askush mund të thojë me siguri se çfarë ndodhi në takimin e djeshëm mes Kurtit dhe Mustafës, por perveç skemës ‘6 plus 4’, LDK-ja ka ofruar edhe një propozim tjetër në tryezë, sipas të cilës merr pesë ministri dhe kryetarin e Kuvendit.

Edhe pse raportet kanë qënë nga më të ndryshmet, burime nga LDK-ja thonë për mediat në Prishtinë se marrëveshja e koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është bllokuar për shkak të postit të kryeparlamentarit. Me kërkesën e Mustafës, i bie që Glauk Konjufca duhet të japë doreheqjen 2 javë pasi u zgjodh njëanshëm nga VV si kryetar i Parlamentit. Por nëse kjo ndodh, çfarë pasojash ka brenda partisë së Albin Kurtit?

Në takimin e së enjtes LDK-ja ka kërkuar që të rihapet çështja e postit të kryeparlamentarit, si dhe do zotimin e votave të VV-së për postin e presidentit.

Por Albin Kurti, sipas këtyre burimeve të gazetës Koha Ditore ka thënë se nuk e “djeg” njeriun e dytë të partisë. Për të, zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit, edhe me votat e LDK-së, është proces i pakthyeshëm.

Isa Mustafa

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i propozuar për zv.kryeministër, Haki Abazi, ia ka shuar shpresat Lidhjes Demokratike, se kjo parti mund ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Abazi, ka thënë se nuk mund të kthehen para datës 26 dhjetor, atëherë kur Glauk Konjufca, u zgjodh kryetar i Kuvendit. “Ne nuk mund të kthehemi në asnjë mënyrë para 26 dhjetorit, sepse tani jemi në janar të 2020-ës. Arsyeja pse është zgjedhur Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, është fakti që Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka dashur vakum institucional dhe Lidhja Demokratike”, ka thënë Abazi për Gazeta Blic.

Por Mustafa duket se ka marrë të enjten garancinë e VV-së për postin e presidentit, pasi Kurti është pajtuar që propozimi i kandidatit t’i takojë Lidhjes Demokratike. Megjithatë, kjo nuk e ka bërë Mustafën të tërhiqet nga kërkesa për kryetarin e Kuvendit. Për të gjithë ishte një surprizë që kryetar i Kuvendit u zgjodh përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili i komplikoi bisedimet VV-LDK.

Sipas zyrtarëve të LDK-së, ata  nuk ishin dakorduar paraprakisht me Vetëvendosjen për kreun e Kuvendit. Ishte pikërisht ky hap ai që ktheu të gjitha bisedimet për koalicion qeverisës në pikën zero.

“Janë hedhur poshtë të gjitha diskutimet paraprake. Situata ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese të zgjedhjeve”– thotë Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demorkratikë të Kosovës.

Thaçi, ultimatum Kurtit për mandatin e kryeministrit: Merre ose lëre!

Por edhe pse deri më tani, Albin Kurti ka marrë kohë për të planifikuar me kujdes çdo hap në negociatat me LDK-në, kjo duket se do të ndryshojë. Në një letër të prerë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkon kreut të VV-së të vendosë së më parë nëse do ta marrë apo jo mandatin për kryeministër.

Kreu i VV, Albin Kurti iu drejtua mbështetësve në orët e vona të së dielës, ku shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare. Gazeta Si, 2020

Në letrën e tij Thaçi i ka kërkuar Kurtit që ta njoftojë, në mënyrë që të mos humbet më kohë dhe të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime për të shmangur vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit. Sipas nenin 87 të Kushtetutës, e cila e thotë qarë se nuk përjashtohet mundësia që partia ose koalicioni në fjalë të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e presidentit.

Thaçi, është takuar të hënën Kurti, për të diskutuar rreth marrjes së mandatit për kryeministër. Ai i dha një afat prej 48 orëve Kurtit për të propozuar një emër. Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.

Sipas Kushtetuës, Kurti duhet të formojë qeverinë 15 ditë pasi Thaçi ti dorëzojë mandatin dhe më pas emri i tij duhet ti propozohe Kuvendit, ku duhet të marrë miratimin e 61 deputetëve.

Në rast se Kurti nuk formon qeverië, atëherë Thaçi duhet të thërrasë kreun e partisë së dytë më të votuar, kreun e LDK-së, Isa Mustafës për të marra mandatin për formimin e qeverisë. Në rast se edhe ai nuk arrin të formojë qeverinë, atëherë presidenti shpall zgjedhje të parakoshme.

Në këto kushte, Kurti duket se po shmag marrjen e mandatit, për të mos djegur ditët për formimin e qeverisë. Por mediat në Kosovë thonë se ai nuk mund ta shtyjë marrjen e mandatit edhe për shumë kohë. Sipas tyre, ai ka kohë deri më 11 janar për të marrë mandatin, pra 15 ditë pas konstituimit të Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë