Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankimimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka lënë në fuqi vendimin për përjashtimin e Albin Kurtit nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Albin Kurit dhe katër kandidatë të tjerë të kësaj partie mbetën jashtë listës. Zëvendësimi i këtyre emrave është aktualisht i pamundur për shkak të kalimit të afateve kohore të parashikuara në ligj, çka do ta reduktojë listën e përbashkët të Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanit në 105 kandidatë për deputetë.
“Certifikohet lista e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, me përjashtim të kandidatëve të cekur që kanë probleme me ligjin. Kandidatët e cekur në pikën një të diapozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë”, thuhet në vendimin e PZAP.
Megjithatë, Vetëvendosje do të shfrytëzojë edhe mundësinë e fundit për të përfshirë Albin Kurtin në listën e kandidatëve, duke e ankimuar vendimin e Panelit Zgjedhor në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve.
“Vetëvendosje do të jetë me Albin Kurtin në zgjedhje e me Albin Kurtin Kryeministër. Regjimi i vjetër e fake neës-t nuk mund ta hutojnë askënd”, tha zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.
Përveç Vetëvendosjes, Nismës Socialdemokrate i janë refuzuar dymbëdhjetë kandidatë, ndërsa Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës katër kandidatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.