Më 4 janar 1960, shkrimtari Albert Kamy vdiq në një aksident të tmerrshëm automobilistik. Tri vjet më parë, në vitin 1957, ai u nderua me çmimin Nobel për letërsinë “për prodhimin e tij të rëndësishëm letrar, i cili me një seriozitet sqarues ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”. Kryevepra e padiskutueshme e shkrimtarit francez (dhe letërsisë perëndimore), e përkthyer në dyzet gjuhë, nga e cila Visconti nxori filmin me të njëjtin emër në vitin 1967, është romani “I huaji”, botuar në vitin 1942.
Nëpërmjet kësaj vepre mund të lexojmë vetë jetën e shkrimtarit, në rolin e një francezi që jeton në Algjeri; një francez jashtë shtetit, midis arabëve, një i huaj midis njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë.
Gjatë ekzistencës së tij, Kamy ndjen gjithë vetminë e atyre që nuk i përkasin vendit ku ai jeton dhe ndihet si një i huaj i rrethuar nga një mori njerëzish.
Është kompleksiteti i vetë jetës që kërkon një hapësirë midis faqeve të saj: ajo ndjenjë e zgjatur e apatisë që të çon në ankth të thellë.
Të qenit të huaj, dje si sot
Tema e të ndjerit të huaj është shumë aktuale, siç ishte në kohën e çmimit Nobel të Albert Kamy, dhe rijetohet çdo ditë, në një të tashme të ngopur nga distancat brenda rrjetit dhe nga bota e mediave sociale, në rrafshimin e ndjenjave dhe emocioneve të njeriut, në pakënaqësi, zhgënjime, algoritme, dinamika mediatike, shumë shpejt.
Albert Kamy u lind në Algjeri më 7 nëntor 1913. Në moshën 30-vjeçare, ai kalon sprova të shumta në jetë dhe piqet nga përvoja gjithfarëshe: shkruan tekste të vogla meditative me theks biografik, shtrohet në spital për tuberkuloz, i shpëton vdekjes, por jo kurimeve të vazhdueshme.
Romani i rinisë ishte “Vdekja e lumtur”, të cilin nuk pranon ta botoje për së gjalli. Viti 1937 shënon çast vendimtar në jetën intelektuale të Kamysë. Boton librin “E mbrapshta dhe e mbara” me ese të rinisë. Në vitin 1939 boton një tjetër libër me ese “Dasma”.
Më pas punon në gazetat serioze të Algjerisë dhe shkrimet e tij i boton në një përmbledhje “Aktualet”.
Bëhet i njohur në vitin 1942 me botimin e esesë filozofike “Miti i Sizifit”, sfidë krenare e njeriut ndaj universit të dhunës e të pakuptimtë që Kamyja e emërton me emrin “absurd”. Po atë vit boton romanin “I Huaji”, pasqyrë e brishtësisë së njeriut dhe e vuajtjes absurde. Krijimtaria e Kamysë pasurohet dhe me dy drama: “Kaligula”, me 1944, përshkrim poetik i çmendurisë njerëzore të mishëruar në figurën e perandorit romak Kaligula. Drama tjetër është “Të drejtët” himn i sakrificës për liri. Vepër tjetër është eseja “Mendime për gijotinën” ku dënon heqjen e dënimit me vdekje. Botim tjetër është romani “Murtaja” që mbahet si një nga romanet më të mira të shek. XX, ku i bëhet një sintezë qëndresës njerëzore ndaj të gjitha formave të tiranisë.
Më 1957 suksesi letrar i Kamysë vlerësohet me çmimin Nobel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.