“Albania Guitar Festival” mbrëmjen e 1 korrikut çel siparin e të pestit edicion të festës së tingujve, që mbledh bashkë artistë të huaj e shqiptarë, në një javë që premton të gjallërojë atmosferën në qytetet shqiptare.
Kitaristët klasikë më të famshëm në botë do të sjellin tingujt magjik të kitarës klasike nëpër qytetet tona nga sot për të përfunduar në mbrëmjen e 10 korrikut.
“Pjesëmarrësit e këtij edicioni të festivalit të kitarës do të jenë disa nga virtuozët dhe profesorët më të mirë të kitarës”, shprehet për Gazetën “Si”, drejtori artistik i festivalit, pedagogu Denis Bizhga pak para se gjithçka të nisë.
Në këtë mbrëmje, festivali do të startojë në Rubik, për të vijuar më pas në Elbasan, Tiranë e Korçë. Por përtej muzikës, Bizhga thotë se në vëmendje do të jetë edhe trashëgimia jonë kulturore.
“Koncerti i parë do të zhvillohet në kishën e shekullit të XII të Shëlbuemit, në Rubik. I ftuar do të jetë kitaristi virtuoz nga Moska, Vladimir Gapontsev. Festivali do të zhvillohet në disa qytete me qëllim promovimin e kulturës dhe objekteve të trashëgimisë kulturore”, vijon Bizhga për Gazetën “Si”.
Në Tiranë më 3 korrik do të performojë në sallën e koncerteve “Tonin Harapi”, në kitarë dhe mandolinë artisti Johan Corrales nga Kolumbia.
“Në datat 5 dhe 6 korrik do të kemi virtuozin dhe profesorin nga Italia, Luigi Attademo. Në dy koncertet e tij në Tiranë dhe në Elbasan, Luigi do të interpretojë një repertor të zgjedhur me disa nga veprat më të njohura të kitarës klasike në lulishten e Kryeministrisë. Në datë 7 korrik i ftuar do të jetë kitaristi nga Spanja, Eduardo Inestal, i cili do të interpretojë në qytetin e Elbasanit. Në datë 8 korrik do të kemi të ftuar nga USA kitaristin me famë botërore, Celil Refik Kaya”, thotë Bizhga.
Ky rrugëtim muzikor do të përfundojë në Korçën e serenatave, me kitaristin e zhanrit Flamenco, Jose Carlos Gomez.
Por përpos emrave të njohur ndërkombëtarë, në këtë festë tingujsh nuk do të mungojnë as performanca të talenteve të reja, të zbuluara nga kjo skenë dhe ato të rretheve të ndryshme të Shqipërisë.
“Risi e këtij edicioni do të jetë ‘Albania Young Talents’, një koncert që do t’u dedikohet virtuozëve të rinj në kitarën klasike. Në fokus është promovimi i trashëgimisë kulturore dhe për këtë arsye disa koncerte do të zhvillohen në monumente historike për të promovuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare”, përfundon Bizhga.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.