Kombetarja

Alban Bushi: Ylber Ramadani, shembulli më i mirë që duhet të ndjekë çdo lojtar!

Gazeta Si – Një ditë pasi shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar, trajneri i Shqipëisë U-21, Alban Bushi, doli në një konferencë shtypi. Ai foli për gjendjen e skuadrës para dy ndeshjeve të para kualifikuese të Euro 2025 me Armeninë dhe Rumaninë. Alban Bushi theksoi se objektivi është kualifikimi.

Për listën Bushi u shpreh: “Kemi lojtarë që nuk kishim ndërmend t’i ftonim, por kanë bërë mirë në kampionat dhe i kemi marrë. Disa kanë ardhur nga jashtë, si Dajko dhe Mjaki, që janë pjesë e Laçit dhe që janë lojtarë shumë cilësorë. Edhe lojtarët e tjerë, si Buxhelaj dhe Preka, do të doja të kishin më shumë minuta.

Jemi të kënaqur që Bajrami dhe Simoni janë pjesë e ekipit U-21 për këto dy ndeshje. Janë lojtarë shumë të mirë, të cilët mund të bëhen sërish pjesë e ekipit A. Enis Asani vjen për herë të pare, luan me Thunin në Zvicër dhe ka shumë cilësi”.

Për ndeshjen e parë me Armeninë trajneri theksoi: “Duhet të bëjmë mirë. E dimë që armenët janë të fortë në fushën e tyre, janë agresivë. Duhet një strategji tjetër, jo si me Bullgarinë”.

Bushi kaloi më tej tek objektivi: “Ne gjithmonë e kërkojmë kualifikimin. Jemi ekip modest në krahasim me kundërshtarët, por kemi bërë mirë. Ekipi ka shumë besim se do të marrim rezultat pozitiv, unë kam shumë besim. Mendoj që do të bëjmë shumë mirë në Armeni, gjithashtu edhe me Rumaninë këtu.

Kemi dy sfida, nga të cilat presim shumë, luajmë me Armeninë që është më e dobët se ne në letër, por edhe me Rumaninë luajmë në shtëpi dhe do të mundohemi të marrim pikët maksimale. Është grup shumë i ekuilibruar, mendoj se na favorizon pak të gjithëve, por sigurisht ne bëjmë llogaritë tona”.

Në fund trajneri i Shpresave evidentoi shembullin e Ylber Ramadanit, që çdo lojtar duhet të ndjekë, sipas tij: “Kemi lojtarë të mirë, si Pajaziti, Kurtulan, Rexhepi, Berisha apo edhe të tjerë. Kanë potencial për Kombëtaren A, ku sot ka shumë lojtarë që kanë ardhur përmes ekipit U-21. Ramadani, për shembull, ka qenë lojtar i thjeshtë dikur, ka ndryshuar shumë pozitivisht në mënyrën e lojës.

Ramadani me fanellen e Kombetares. Gazeta Si, 31 gusht 2023

Dikush thoshte që nuk mund të bëhet lojtar i madh, por ja që ai arriti deri në Serie A, duke punuar. Këta lojtarë që përmenda, nëse nuk punojnë siç duhet, është e vështirë të arrijnë majat, por ata e kanë potencialin për t’u bërë lojtarë të mëdhenj. Nëse punojnë në shembullin e Ramadanit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë