Herpes zoster apo ‘zjarri i natës’, siç njihet nga njerëzit, është një sëmundje infektive e shkaktuar nga i njëjti virus që shkakton edhe variçelën apo linë e dhenve.
Studiuesit tani kanë ngritur alarmin për njerëzit që e kanë kaluar një herë këtë infeksion, të jenë të kujdesshëm nga çrregullimet kardiovaskulare.
Sipas shkencëtarëve, prekja nga ky infeksion në lëkurë, mund të rrisë mundësinë e një ataku në zemër, që çon në vdekje.
The Sun shkruan se ekspertët në SHBA kanë zbuluar se zhvillimi i herpesit i lë njerëzit me një rrezik të lartë për një atak në zemër deri në 12 ose më shumë vite pasi inflamacioni të shfaqet për herë të parë në lëkurë.
Studimi i mbi 200,000 njerëzve ka treguar se ata që preken nga Herpes zoster apo “zjarri i natës” kanë 30 për qind më shumë gjasa të kenë një atak në zemër sesa ata që nuk e kanë kaluar.
Sharon Curhan, epidemiologe në Brigham and Women’s Hospital, SHBA, e cila udhëhoqi studimin, tha se kërkimet e mëtejshme janë jetike.
Sharon dhe kolegët e saj i botuan gjetjet në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës. Ata studiuan të dhënat shëndetësore të 205,030 personave.
Ata i ndoqën pacientët deri në 16 vjet, duke kontrolluar çdo dy vjet për të parë nëse ndonjë prej tyre ishte në një rrezik më të lartë për të pasur një goditje në tru ose për të zhvilluar sëmundje të zemrës pas një shpërthimi të herpesit.
Shenjat dhe simptomat e hershme të “zjarrit të natës”.
Shenjat e para të simptomave të zjarrit të natës janë djegia apo dhimbja bezdisëse dhe ndonjëherë mpirja e lëkurës apo nën të, në zonën e prekur. Pacienti mund të ketë ethe, dhimbje koke apo edhe të përziera. Dhimbja mund të jetë mesatare deri në intense dhe shpesh njerëzit e përshkruajnë si mjaft të madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




