Futboll

Alarmi në Gjermani, Bundesliga nuk ka më garë!

Kampionati gjerman është një monotoni, që prishet rrallë, shumë rrallë. Nuk ka garë, nuk ka ekuilibër dhe rezultati është i njëjtë: fiton gjithmonë Bajerni i Mynihut. Hegjemonia e bavarezëve në vitet e fundit është bërë e frikshme në Bundesligë. Diçka më ndryshe ka qenë para vitit 2012. Në 6 kampionatet mes viteve 2007-2012, e kanë fituar titullin kampion katër skuadra të ndryshme, Shtutgarti, Bajerni i Mynihut, Volfsburgu dhe Borusia e Dortmundit. Kurse në periudhën 2013-2018 ka fituar vetëm Bajerni. Gjashtë tituj në gjashtë sezone, një rekord ky për futbollin gjerman dhe kuptohet lehtë se diçka ka ndryshuar. Kampionati është më i mërzitshëm dhe para se të jetë teknik, ai është ekonomik.

Në Gjermani janë shumë të vëmendshëm në lidhje me privatësinë që lidhet me përfitimet e lojtarëve. Rrogat e tyre nuk janë të ditura publikisht, por nëpërmjet disa të dhënash mund të kuptohet se sa shpenzojnë klubet. Sipas një raporti të “Sporting Intelligence”, lojtarët e Bajernit përfitojnë mesatarisht 5.68 milionë euro për kokë në sezon. Ata të Dortmundit, klubi i dytë në Gjermani për shpenzimet dhe rrogat e lojtarëve, përfitojnë 3 milionë euro për kokë. Pra, bavarezët përfitojnë dyfishin e tyre. Dhe ja ku vjen edhe shpjegimi për dominimin e Bajernit!

Nga një ndeshje mes Bajernit dhe Borusias së Dortmundit 

Nuk ka ndonjë rregull në sport se kush shpenzon më shumë, fiton më shumë, por lojtarët më të mirë nuk është se tërhiqen më shumë nga programet më të mira teknike. Ndonjë mrekulli sportive është e mundur, si në rastin e Hofenheimit, që është i shtati për pagesat, por i treti në renditjen e sezonit të fundit, apo edhe rasti i Frajburgut të Amir Abrashit, që i shpëtoi rënies në Bundesligën 2,  por lojtarët e tij paguhen vetëm 490 miijë euro për kokë. Për të pasur një kampionat më kompetitiv, kuptohet që duhet më shumë ekuilibër.

Lojtarët e Bajernit paguhen mesatarisht 4 milionë eruo për kokë më shumë se ata të Shalke 04. Për këtë arsye kishte 21 pikë diferencë mes bavarezëve dhe klubit nga Gelsenkirshen në renditjen e kampionatit të kaluar. Skuadra si Frajburgu, Hanoveri, Augsburgu, Shtutgarti, Mainci dhe Verder Bremeni i paguajnë lojtarët mesatarisht më pak se 1 milionë euro në sezon . Te Frajburgu dhe Hanoveri lojtarët fitojnë sa 1/12 e atyre të Bajernit. Dhe ky është një shqetësim jo i vogël.

Amir Abrashi (numri 6) gjatë një ndeshjeje. Ai dhe shokët e tij te Frajburgu paguhen sa 1/12-a e lojtarëve të Bajernit

Në maj, administratori i deleguar i Borusias së Dortmundit, Hans Joakim Vatzke, lëshoi alarmin për këtë që fenomen po ndodh në futbollin gjerman. “Ne jemi  një klub i fortë, një markë e fortë, por kjo nuk do të thotë se do ta kalojmë Bajernin në pak kohë. Në vitet 2011 dhe 2012, kur u renditëm para tyre, kishim një total pagash prej 40 milionë eurosh, kurse ata 80 milionë euro. Ishte gjysma e shpenzimeve të tyre, por diferenca ishte 40 milionë euro, ndërsa tani diferenca është shumë më e madhe. Ne shpenzojmë për pagat 110 milionë euro, kurse ata 220 milionë. Mbetet sërish gjysma, por diferenca nuk është më 40 milionë. Tani është 110 milionë”, - ka thënë Vatzke.

Hans Joakim Vatzke, administratori i Borusias së Dortmundit

Klubi verdhezi nuk ka potencialin ekonomik të Bajernit dhe edhe ndonjë element të mirë që rrit, ia marrin menjëherë bavarezët, sic e vërtetojnë rastet e Mario Gëces, Robert Levandovskit dhe Mat Humelsit, të cilët kanë kaluar te bavarezët pikërisht nga Borusia. “Nëse ne kemi 2-3 kampionë, me të cilët mund ta vëmë në vështirësi Bajernin, ata kanë forcën ekonomike dhe na i zhvatin menjëherë. Me ikjen e Levandovskit, Humelsit dhe Gëces, jemi dobësuar. Por le të jemi të qartë: Bajerni nuk është se po bën ndonjë shkelje në këtë rast. Ekipi bavarez ka të drejtën e tij legjitime të përdorë këtë strategji agresive në treg”, - ka shtuar më tej drejtuesi i Borusias. Në Gjermani duhet të gjejnë një zgjidhje, sepse nëse vazhdohet kështu, nuk do të ketë më sens gara. Fiton gjithmonë Bajerni dhe vetëm kaq.

Përgatiti Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë