Policia gjermane ka ngritur alarmin për sigurinë në Dusseldorf dhe Gelsenkirchen përpara ndeshjes Angli-Serbi, e deklaruar si ndeshje me rrezik të lartë.
Media spanjolle "AS", shkruan se Gjermania është vigjilente për atë që mund të ndodhë mes tifozëve të Anglisë dhe atyre të Serbisë para ndeshjes debutuese në Euro2024, të dielën në Gelsenkirchen. Policia gjermane ka zgjeruar shtrirjen e policisë për shkak të rrezikut që shfaqin të dyja grupet e tifozerive.
Ndeshja është cilësuar nga autoritetet me rrezikshmëri të lartë.
Vlerësohet se 40,000 anglezë do të mbërrijnë në Gjermani për të mbështetur ekipin e tyre ndërsa Serbët do të jenë më pak, rreth 6000, por 500 prej tyre konsiderohen ultras.
Kjo është arsyeja pse frika është maksimale, sidomos duke kujtuar atë që ndodhi në Marsejë në vitin 2016, kur anglezët dhe rusët e kthyen Portin e Vjetër të Marsejës në skenën e një beteje të vërtetë. Serbët nuk janë rusët, por ata gjithashtu kanë një histori të grindjeve kur kanë udhëtuar me kombëtaren ose klubet e tyre.
Edhe pse ndeshja është në Gelsenkirchen, afër Dusseldorfit, qyteti ku do të zbresin të gjithë tifozët, e vendos atë në qendër të konfliktit.
Të mërkurën ka pasur tashmë incidente mes policisë dhe ultrasve serbë në stërvitje, kur një tifoz tentoi të hidhej në fushë ndërkohë që në tribunat e stadiumit të vogël ku po stërviteshin lojtarët serbë ka pasur flakë.
Mediat serbe ndërkaq raportojnë se ekziston frika nga prania e 50 mijë shqiptarëve në Dortmund, ndaj mendojnë se ata mund të zhvendosen një ditë më pas në Gelsenkirshen, që nuk është shumë larg, për të shkaktuar kaos me tifozët serbë.
Korrespondentët e “Blic.rs” nga Gjermania shkruajnë: “Sipas njohurive tona, ajo ditë do të jetë shumë e nxehtë, sepse në Dortmund janë 50 mijë tifozë shqiptarë. Shumë prej tyre do të vijnë në Gelsenkirshen aty pranë, ku po luan Serbia, për të krijuar kaos. Në ditën e ndeshjes sonë me Anglinë, kjo do të jetë një sfidë e dyfishtë për tifozët tanë për të treguar se askush nuk mund t’i provokojë ata, veçanërisht nëse e dimë që po vijnë edhe huliganët anglezë”.
Sipas Sportal.rs, “dy incidente në Augsburg, ku ka selinë kombëtarja serbe, kur tifozët shqiptarë tentuan të provokojnë dikë nga delegacioni ynë, dëshmojnë se historia nuk është pa bazë”. Të enjten, siç raporton kjo media, një djalë dhe një vajzë kanë hyrë në hotelin “Maximilian”, ku ndodhet ekipi serb i futbollit, të veshur me kapele me simbole shqiptare, por sigurimi i Federatës Serbe të Futbollit është kundërpërgjigjur me shpejtësi.
Gjatë ditës së ndeshjes Angli-Serbi, zonat e përcaktuara për të pritur tifozët do të jenë sa më larg të jetë e mundur, një në veri dhe një në jug të Gelsenkirchen. Për të shmangur çdo rrëmujë, gjatë lojës nuk do të shërbehet birrë, por vetëm birrë e lehtë me 2.8% alkool. Tifozët do të mund të blejnë vetëm dy birra në të njëjtën kohë dhe nëse duan më shumë, do të duhet të kthehen dhe të presin në radhë.
Burimet: AS, Blic, Sportal. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.