Futboll

Alarmi i dëmtimeve në Bundesliga: Rreziku është rritur me 266%

Ajo që në fillim ishte një shqetësim i përhapur po merr konfirmimet e para. Rifillimi pas periudhës së izolimit ka shkaktuar me një numër të konsiderueshëm dëmtimesh. Në mbështetje të kësaj teorie, nga Gjermania është publikuar një studim i doktor Joel Mason, kërkues australian në Institutin e Shkencave Sportive të Universitetit të Jenës, ku të dhënat nuk janë aspak premtuese: sipas asaj që raportohet nga ‘Corriere della Sera’, në javën e parë rreziku i dëmtimeve (janë 12 ato të verifikuar para dhe gjatë ndeshjeve) është shtuar 266%, nga 0,27 në 0,88 për ndeshje. Pas javës së dytë, mes dëmtimeve të tjetra dhe të reja janë 65 lojtarë me probleme, mesatarisht më shumë se tre për ekip.

Koha e shkurtër për përgatitje, ndeshje të afërta dhe nxehtësia që në korrik e gusht nuk do të sjellë qetësi. Këta janë armiqtë kryesorë të futbollistëve, për të cilët rifillimi do të rriste mundësitë për tu dëmtuar. Një tendencë vetëm pjesërisht e lehtësuar nga mundësia për të kryer pesë zëvendësime. Në Gjermani, ndër viktimat e dëmtimeve post lockdown, figurojnë Thiago Alcantara (Bayern), Yussuf Poulsen (Leipzig), në Itali emri më i famshëm është ai i Zlatan Ibrahimovic, ndërsa në Spanjë i pari që pësoi probleme muskulore ishte Samuel Umtiti. Tek Atletico probleme në gju ka edhe Joao Felix, ndërsa sezoni i Ramiro Funes Mori (Villarreal) ka përfunduar pa nisur ende.

PARASHIKIMI PËR PREMIER LEAGUE: ALARMI NË +25%

Alarmi në Premier League është rritur pasi platforma Zone7 – e specializuar në parashikimin e rrezikut të dëmtimeve, që bashkëpunon me 35 ekipe të futbollit profesionist në gjithë botën – ka publikuar rezultatet e studimit të tij, cituar nga BBC Sport. Sipas këtij studimi të luash tetë ndeshje në një periudhë 30 ditore, rrit mundësinë e dëmtimit me 25% në krahasim nëse luan 4 deri në 5 në të njëjtën periudhë kohe. Kjo pasi në harkun e një sezoni, vetëm 4% të lojtarëve përballen me ritme kaq të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë