Shendet

Alarmante, tre milionë fëmijë kanë vdekur për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve

Më shumë se tre milionë fëmijë në mbarë botën mendohet se kanë vdekur në vitin 2022 si pasojë e infeksioneve që janë rezistente ndaj antibiotikëve, sipas një studimi nga dy ekspertë në shëndetin e fëmijëve.

Rezistenca antimikrobike, e njohur si AMR, zhvillohet kur mikrobet që shkaktojnë infeksione evoluojnë në atë mënyrë që ilaçet antibiotike nuk funksionojnë më.

Kjo është identifikuar si një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik me të cilin përballet popullsia e botës dhe ky studim na tregon se AMR tashmë është një rrezik i madh dhe për fëmijët.

Duke përdorur të dhëna nga burime të shumta, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bankën Botërore, autorët e raportit kanë llogaritur se kishte më shumë se tre milionë vdekje të fëmijëve në vitin 2022 të lidhura me infeksionet rezistente ndaj ilaçeve.

Ekspertët thonë se ky studim i ri nxjerr në pah një rritje më shumë se dhjetëfish të infeksioneve të lidhura me AMR tek fëmijët në vetëm tre vjet dhe ky numër mund të jetë përkeqësuar nga ndikimi i pandemisë Covid-19.

Rritja e përdorimit të antibiotikëve

Antibiotikët përdoren për të trajtuar ose parandaluar një gamë të madhe infeksionesh bakteriale, nga infeksionet e lëkurës deri te pneumonia.

Ato gjithashtu jepen ndonjëherë si një masë paraprake për të parandaluar, në vend që të trajtojnë, një infeksion, për shembull nëse dikush është duke kryer një operacion ose duke marrë trajtim kimioterapie për kancerin.

Por disa baktere tani kanë evoluar rezistencën ndaj disa ilaçeve, për shkak të përdorimit të tepërt dhe përdorimit të papërshtatshëm të tyre, ndërsa prodhimi i antibiotikëve të rinj, një proces i gjatë dhe i kushtueshëm, është ngadalësuar menjëherë.

Autorët kryesorë të raportit, doktoresha Yanhong Jessika Hu e Institutit të Kërkimeve për Fëmijët Murdoch në Australi dhe profesori Herb Harwell tregojnë për një rritje të konsiderueshme në përdorimin e antibiotikëve që në fillim janë krijuar vetëm për infeksionet më serioze.

Midis 2019 dhe 2021 përdorimi i antibiotikëve tw ilaçeve me rrezik të lartë rezistence, u rrit me 160% në Azinë Juglindore dhe 126% në Afrikë.

Gjatë të njëjtës periudhë, antibiotikët për trajtimet e fundit për infeksionet e rënda, rezistente ndaj shumë ilaçeve u rritën me 45% në Azinë Juglindore dhe 125% në Afrikë.

Opsionet në pakësim

Autorët paralajmërojnë se nëse bakteret zhvillojnë rezistencë ndaj këtyre antibiotikëve, do të ketë pak, nëse ka, alternativa për trajtimin e infeksioneve rezistente ndaj shumë ilaçeve.

“AMR është një problem global. Prek të gjithë. Ne e bëmë këtë punë me të vërtetë për t’u fokusuar në mënyrën joproporcionale në të cilën AMR prek fëmijët,” tha profesori.

“Ne vlerësojmë tre milionë vdekje të fëmijëve në mbarë botën të lidhura me rezistencën antimikrobike.”

A ka një zgjidhje për AMR?

OBSH e përshkruan AMR si një nga kërcënimet më serioze të shëndetit global me të cilin përballemi, por duke folur nga Vjena, Prof Harwell paralajmëron se nuk ka përgjigje të lehta.

“Është një problem shumëplanësh që shtrihet në të gjitha aspektet e mjekësisë dhe në të vërtetë, në jetën njerëzore,” tha ai.

“Antibiotikët janë të kudondodhur rreth nesh, ata përfundojnë në ushqimin tonë dhe mjedisin dhe kështu të gjesh një zgjidhje të vetme nuk është e lehtë.”

Mënyra më e mirë për të shmangur një infeksion rezistent është shmangia e infeksionit në tërësi, që do të thotë se nevojiten nivele më të larta imunizimi, kanalizimi i ujit dhe higjiena, shton ai.

“Do të ketë më shumë përdorim të antibiotikëve sepse ka më shumë njerëz që kanë nevojë për to, por ne duhet të sigurohemi që ato të përdoren siç duhet dhe të përdoren ilaçet e duhura.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë