Shendet

Alarm nga streptokoku në Greqi, vdesin 3 fëmijë/ Shqipëria nuk është e rrezikuar

Nga Gazeta Si – Greqia ka ngritur alarmin pas humbjes së jetës së tre fëmijëve nga Streptokoku A, ndërsa shifrat e pacientëve të prekur nga infeksioni respirator bakterial është shtuar ndjeshëm.

Në Shqipëri, mjekët pediatër thonë se nuk ka vend për panik.

Mjeku pediatër Bektash Mandri thotë për Gazetasi.al se streptokoku ka qenë gjithmonë i pranishëm në vendin tonë dhe kurrë nuk është parë si alarmant.

“Nuk është një rrezik për vendin tonë. Gjithmonë kemi pasur raste të fëmijëve me streptokok por asgjë madhore.  Edhe tani kemi raste por asgjë jashtë normales”, thotë Mandri duke shtuar se luhatjet e mëdha të temperaturave prej kohësh janë një shqetësim në vendin tonë pasi shkaktojnë viruse stinore. Përveç kësaj, kemi edhe prani të Covid-19 dhe virusit të frymëmarrjes cka tregon se është normale që të ketë raste që paraqiten në pediatri.

Streptokoku është një lloj bakteri që është i pranishëm tek infeksionet e grykëve.

“Në momentin që prindi dyshon se fëmija ka një shqetësim, duhet të drejtohet tek mjeku. Është shumë e rëndësishme që kur fëmijët janë me temperaturë të lartë, të mos i mbajnë fëmijët në shtëpi pasi kjo mund ta përkeqësojë gjendjen. Temperatura mbi 39 është e rrezikshme”, thotë mjeku pediatër.

Disa nga simptomat më të shpeshta të streptokokut janë qelbëzimi i grykëve dhe temperatura e lartë 39 ose 40.

Mjeku thotë se streptokoku në raste shumë të rralla shkakton probleme deri në vdekje. Janë sëmundje bashkëshoqëruese që çojnë në probleme kritike.

Streptokoku është ngjitës, sidomos nga grupi i fëmijëve të vegjël që janë në kopshte apo çerdhe sepse përhapet nëpër rrugët e frymëmarrjes.

Streptokoku është një infeksion bakterial që shkaktohet nga një bakter që kryesisht prek bajamet dhe murin e pasëm të faringut. Ndonjëherë, infeksioni mund të prekë edhe kordat vokale. Është një infeksion që takohet shpesh tek fëmijët dhe grupmosha më e prekur është 3-14 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë