Gati 2/3 e futbollistëve të Premier Ligës janë ende të pavaksinuar dhe shumë vazhdojnë të refuzojnë ta bëjnë atë. Lajmi është bërë i ditur nga “Daily Mail”, që ka hequr “vellon” e situatës delikate të vaksinimit në kampionatin elitar të futbollit anglez, ku sipas klubeve ka shumë dhoma zhveshjesh “të hemulara” nga teoritë komplotiste mbi Covid-19, me gjithë rreziqet që sjell një qëndrim i tillë.
Pa harruar që i ashtuquajturi “plan B” i ideuar nga kryeministri Boris Johnson për të përballuar një valë të re të mundshme të pandemisë gjatë dimrit, – më saktë futja e një çertifikate vaksinimi të detyruar për eventet në masë, – do të thoshte një ndalim hyrjeje në stadiume për një numër të konsiderueshëm futbollistësh.

Në këtë pikë lind edhe shqetësimi i Ligës, që ka marrë së fundi garanci nga qeveria: nëse çertifikata e vaksinës do të bëhet e detyrueshme, lojtarët e pavaksinuar mund të jenë gjithsesi në dispozicion të skuadrës, me kushtin që t’u nënshtrohen rregullisht kontrolleve. Një tolerim që mund të sjellë një reagim të fortë nga tifozët, të cilëve u kërkohet që të jenë patjetër të vaksinuar për të shkuar në stadium.
Po t’u referohemi shifrave, aktualisht vetëm 7 nga 20 klubet e Premier Ligës kanë më shumë se 50% të skuadrës të vaksinuar me dozën e dytë, kurse Lidsi, Volverhemptoni, Southemptoni dhe Brentfordi kanë më shumë se 90% të stafit të imunizuar. Janë edhe të paktën tri skuadra, që nuk bëjnë dot as 10 persona të vaksinuar. Dhe duke parë numrin gjithmonë më të lartë të lojtarëve dyshues për vaksinën, është e pamundur që situata të përmirësohet brenda një kohe të shkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




