Gazeta Si - Alarmi për dhunën e huliganëve kthen makthin e zakonshëm. Kushdo që mendon se janë vetëm një kujtim i së shkuarës, e ka shumë gabim: nuk janë larguar kurrë, thjesht ndryshuan fytyrat, zakonet, emrat.
Në të vërtetë, vazhdojnë të jenë të frikshëm dhe mund të shkaktojnë dëme. Nuk mjaftoi terrorizmi, i cili tashmë shoqëron jetën tonë dhe për rrjedhojë çdo ngjarje, sportive.
Alarmi për ardhjen e ultrasve më të dhunshëm, sidomos atyre nga Evropa Lindore, tashmë më të rrezikshmit, është shumë i lartë. Dhe tani Gjermania ka frikë.
Angli-Serbi
Sepse nëse në vitin 2021 gjithçka shkoi (pak a shumë) pa probleme, edhe për shkak të kufizimeve të Covid-it, tani jemi kthyer në nivelet e Kampionatit Evropian 2016, i fundit para pandemisë, i fundit i luajtur në një vend të vetëm.
Çdo ditë në Gjermani do të vendosen 22 mijë agjentë. Bluzat me fjalët "Euro 2024, Festivali i Dhunës" janë në shitje në internet, duke treguar se të ultrasit e dhunshëm po përgatiten të ndërmarrin veprime.
Ka një dosje që qarkullon mes forcave policore në të gjithë Evropën. Dhe që identifikon pesë ndeshje me rrezikshmëri shumë të lartë incidentesh, vetëm në fazën e grupeve.
E para do të luhet sonte në “Gelsenkirchen”, mes Serbisë dhe Anglisë, një provë e vërtetë gjeenerale. Pritet ardhja e 40 mijë tifozëve anglezë. Shumë më pak serbë, por këtu shifrat llogariten pak.
Edhe sepse problemet kryesore i shkaktojnë ata që mbeten jashtë, pa biletë. "Kontrollimi i tyre nëpër qytet është shumë më i vështirë, shpesh i pamundur", - pranon një oficer në detyrë jashtë “Ëestfalenstadion” të Dortmundit, ku mbrëmjen e të shtunës Shqipëria sfidoi Italinë, pa shkaktuar asnjë incident brenda dhe jashtë stadiumit.
Çështje politike
Si zakonisht, ka shumë më tepër çështje të tjera sesa futbolli. Problemi kryesor është para së gjithash politika. Referenca ka të bëjë me tensionet për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke qenë se pjesa më e dhunshme e mbështetjes serbe është në linjë me pozicionet e Putinit.
Për më tepër, shënon 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Beograd, në të cilin Mbretëria e Bashkuar luajti një rol kyç, me ish-kryeministrin anglez Tony Blair, protagonist i fushatës së NATO-s për bombardimet e Aleancës Atlantike në Beograd kundër spastrimit etnik të shqiptaarëve të Kosovës.
Shërbimet sekrete të Berlinit kanë raportuar për ardhjen e 500 serbëve të gatshëm për betejë dhe për këtë arsye qeveria ka vendosur edhe 1.300 agjentë të tjerë.
Më të dhunshëm janë grupi “Grobari” (“varrmihësit”) të Partizanit të Beogradit dhe “Delijet” (“Heronjtë”) të Cervena Zvezdës (Yllit të Kuq).
“Ne jemi gati të përballemi me çdo rrezik të imagjinueshëm”, siguroi ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
Sipas "Corriere della Sera"-s, 4 ndeshjet e tjera në dosje, janë Poloni-Holandë që do të luhen këtë të diel në Hamburg (ora 15:00), Turqi-Gjeorgji në datën 18 qershor në Dortmund, Gjermani-Hungari më datë 19 në Shtutgart dhe Kroaci-Shqipëri, po ashtu në datën 19 qershor në Hamburg. Ndalimi i personave të dhunshëm ndoshta do të jetë sfida më e vështirë.
Përshtati: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.