Gazeta Si – Shpenzimet e arabëve në merkaton e futbollit nuk kanë fund. Tani radhën e ka egjiptiani i Liverpulit për t’u transferuar tek Al Itihad, ku do të bashkohej me Karim Benzema. Kjo lëvizje ka nervozuar trajnerin Klop, që ka kërkuar Bakajokon nga PSV.
Saudi Premier League po mbushet me yjet e futbollit botëror, falë ‘shiut’ të milionave. Tani kërkohet edhe Mohamed Salah nga Al Itihad për një dyshe ëndrrash me Benzema. Dhe për këtë ka gati 100 milionë euro për Liverpulin, plus një pagë të majme për lojtarin. Tifozët e Al Itihad nuk janë të kënaqur nga fama e ish-lojtarit të Selltikut, Jota, ndaj dhe duan Salah.

Në një merkato absurde si kjo e 2023-shit nga arabët gjithçka ndodh. Edhe të blesh 30 milionë euro Jotën dhe pas më pak se një muaji ta ‘djegësh’, sepse nuk është aq shumë i famshëm për kërkesat e tifozëve të Al Itihad. Asnjë problem për Benzema, Fabinjo dhe Kanté.
Gati çeku prej 100 milionë eurosh për Liverpulin, që të lëshojë Salah, një lojtar i një tjetër kalibri dhe që u kërkua që në fillim të verës. Diçka ka ndryshuar tani tek ekipi anglez. Ai që më parë dukej një pikë kyçe, tani duket i destinuar të largohet nga Premier Liga.
Salah është shprehur pro mundësisë së largimit, duke irrituar trajnerin Jurgen Klop. Sulmuesi ka dhënë ‘ok’-in që Al Itihad të kontaktojë me klubin anglez me një ofertë zyrtare. Dhe kjo ofertë, sipas mediave arabe, e ka bindur Liverpulin: 100 milionë euro për kartonin dhe kontratë 3-vjeçare për lojtarin.
Me kampionatin që tashmë ka nisur dhe pak ditë nga mbyllja e merkatos, Liverpuli duhet të nxitojë për të zëvendësuar Salah. Profili më i përshtatshëm duket ai i Johan Bakajoko të PSV-së, 20-vjeçari i kombëtares belge që ka joshur edhe PSG-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




