Drejtësia

Akuzohet si organizator i një grupi kriminal në trafikun e drogës, SPAK dërgon në gjyq Emiljan Burbën

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme dërgon për gjykim shtetasin Emiljan Burba, i akuzuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të drogës.

Hetimet për grupin e strukturuar nisën pas kapjes së mbi 400 kilogramë kanabis në doganën e Hanit të Hotit, në hyrje të Malit të Zi, në shtator të vitit 2023.

Droga po transportohej me një mjet të tonazhit të rëndë dhe ishte e mbështjellë me natriban. Hetimet treguan se skema e përdorur për trafikimin e narkotikëve bëhej përmes krijimit dhe regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit të disa subjekteve tregtare fiktive (pa aktivitet tregtar, adresë reale dhe me dokumente të falsifikuara), në emër të të cilëve lëshoheshin faturat e eksportimit të mallrave që ngarkoheshin më pas në mjete transporti, të regjistruar me dokumente të falsifikuara, ku fshihej lënda narkotike, me qëllim trafikimin.

“Hetimet janë kryer lidhur me ngjarjen në pikën e kalimit të Hanit të Hotit (Bozhaj) në hyrje të Malin e Zi, më 17.09.2023, rreth orës 00:30, kur u bë zbulimi dhe sekuestrimi i një sasie lënde narkotike e llojit kanabis, me peshë totale 442.084 kg. Kjo sasi u zbulua gjatë kontrollit të një mjeti motorik të tonazhit të rëndë të markës “Renault” me targa AB948IX dhe rimorkion e markës “Krone”, me targa AJR363, të drejtuar nga shtetasi Ilirjan Orhan dhe me pasagjer Kristi Orhan. Të dy shtetasit transportonin paleta për në Republikën e Austrisë dhe brenda tyre ishin fshehur 73 pako të mëdha PVC (Polivinil Kloruri) dhe 112 pako më të vogla, te mbështjella me natriban. Subjekti tregtar edhe kamioni rezultonin të ishin rregjistruar në emër të personave fiktive. Të dy shtetasit e mësipërm janë arrestuar në flagrancë dhe proceduar penalisht nga autoritetet gjyqësore të Malit të Zi”, njoftoi SPAK.

Emiljano Burba rezulton se është miku i Aldo Bares (drejtues i Bandës së Lushnjës, i dënuar me burg përjetë) dhe iu sekuestruan dy resorte në vlerë 3 mln euro pak kohë më parë nga SPAK.

Resortet e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 55-vjeçarit, që ka qenë i dënuar në Itali më 2014 me 21 vite burg për trafik droge dhe ky rezulton se është precedenti i dytë i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë