Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të dënojë këtë të enjte me 15 vjet burg Domart Konjarin, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Konjari prej disa vitesh në kërkim, u gjykua edhe në Apel në mungesë, i akuzuar për drejtimin e një grupi kriminal për trafik kokaine dhe heroine jashtë Shqipërisë.
Gjatë procesit në Shkallë të Parë, u dëgjuan dhjetëra dëshmi të shtetasve francezë dhe u verifikuan një sërë provash të sjella nga Franca.
Domart Konjari është në arrati, ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”.
Ai u arrestua në nëntor të vitit 2015 për llogari të autoriteteve franceze, por pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit, duke caktuar nga “arrest me burg”, në “detyrim paraqitjeje”. Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim.
Emri i tij përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt si i dyshuar në disa vrasje për trafikun e drogës.
Në dosje përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.
Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del edhe në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rëne të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës.
Lista e atentateve, ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.
Po ashtu, Konjari dyshohet edhe si porositësi i vrasjes së Devi Kasmit në Tiranë, ngjarje e ndodhur në 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit”.
Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërsa dyshohet se vrasja ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë.
Për këtë vrasje ishin nën akuzë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal ish-speciali grek Efthimios Efthimiu, si ekzekutori i Kasmit, Aurel Hoxhallari alias Altin Hoxhallari, Elton Habilaj, Marvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Marjo Meshini.
Bashkëpunëtori në krim Elton Halipajn u dënua me 33 vjet burgim, ndërsa në mars të këtij viti, Apeli i Posaçëm la në burg përjetë ish-komandon greke Efthimiu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.