Nga Gazeta ‘SI’ – Jani Alia, 47-vjeçari që është dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm, për vrasjen e Elton Çiços në 2016 është vënë në pranga në këtë fillim viti.
Pas 8 vitesh në arrati, Alia, i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Athinë pas bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe atyre greke.
“Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas. Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë”, njofton policia.
Ngjarja për të cilën akuzohet Jani Alia u zbardh nga autoritetet shqiptare falë gjurmëve të ADN-së nga bishti i cigares që 47-vjeçari e kishte hedhur në një kosh mbeturinash shumë pranë lokalit në ish-Bllok, ku ndodhi edhe krimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.