Nga Gazeta ‘Si’- Kamber Sulçaj, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë më 27 shtator, është lënë në burg pa afat.
48-vjeçari doli para Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër dy ditë pasi u vetëdorëzua në Prokurori, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia lidhur me këtë ngjarje.
Fillimisht ka qenë Prokurorja e çështjes Blerina Musabelli e cila ka paraqitur aktet të cilat grupi hetimor ka marrë në vendngjarje dhe rrethanat deri në në vetëdorëzimin e Sulçajt.
Më pas, avokati i tij nga Vlora, Arsenal Zotaj ka paraqitur ndër të tjera edhe faktin e dorëzimit të klientit, duke e konsideruar si një rrethanë lehtësuese. Vetë 48-vjeçari ka qëndruar i heshtur përgjatë gjithë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë.
Avokati është shprehur se do ta ankimojë në Apelin e Tiranës masën e burgut pa afat që u dha nga gjyqtarja Entela Selmanaj.
48-vjeçari u vetëdorëzua në Prokurori dy ditë më parë dhe nuk dihet nëse e ka pranuar autorësinë e vrasjes.
“Quhem Kamber Sulçaj, rezultoj i kërkuar nga shteti”, ka thënë ai në Prokurori.
Ai gjithashtu ka dorëzuar edhe armën me të cilën dyshohet se ka kryer krimin si dhe lejen që dispononte. Ai nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



