Drejtësia

Akuzohet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, mbetet në burg portugezi Saraiva

Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka refuzuar sërish kërkesën për lirim të portugezit Ruben Saraiva, i cili është dërguar për gjykim si i pandehur për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në prill të vitit 2023 në Shëngjin.

Seanca gjyqësore u zhvillua këtë të enjte (10 prill) nën masa të rrepta sigurie. Pas shqyrtimit të argumenteve të palëve, gjyqtari Lurim Bulica vendosi që Saraiva të vijojë të qëndrojë në burg.

Hetimet për Saraivën u mbyllën në shkurt të këtij viti dhe dosja kaloi për gjykim, ndërsa portugezi akuzohet për vrasje për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Më herët, gjatë seancave Saraiva është shprehur nuk ka lidhje me vrasjen e Nikulajt. Ruben Saraiva u ekstradua nga Maroku në fund të vitit 2023, ndërsa kësaj procedure nuk i janë nështruar ende 4 shtetasit britanikë të arrestuar për këtë ngjarje si dhe Edmond Haxhia i cili akuzohet si porositësi i atentatit.

Ardian Nikulaj u vra me armë zjarri brenda lokalit të tij në Shëngjin më 19 prill të vitit 2023, ndërsa sipas autoriteteve, është e faktuar me prova se Saraiva ishte personi që e qëlloi. Motiv për vrasjen referuar hetimeve u bë një zinxhir hakmarrje mes familjeve Lekstakaj dhe Nikulaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë