Gazeta Si – Një 49-vjeçar egjiptian, është arrestuar në Durrës, pasi akuzohet se krijoi në Itali, një organizatë kriminale për trafikim të qenieve njerëzore.
Sipas policisë, 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ndërsa ligji në vendin fqinj për këtë veprimtari kriminale parashikon si dënim maksimal 20 vjet burgim.
“Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve policore, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 36”, kapi në Durrës dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, W. E., 49 vjeç, të lindur në Egjipt. Gjykata e Katanias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale”, njofton policia.
Ndërkohë, Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 49-vjeçarit, në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.