Gazeta Si - Një prej truprojave të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, 47-vjeçari Hekuran Marku është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri.
SPAK i ka caktuar Markut masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë mësohet se ish-truproja tjetër e Tahirit, Paulin Deda, është ende i lirë në Francë, pasi ka kërkuar azil politik atje dhe autoritetet janë duke shqyrtuar kërkesën e tij.
Emrat e dy ish-truprojave dolën në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”, operacion ky që vendosi në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.
Marku dhe Deda akuzohen si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari.
Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar edhe me 4 italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona.
Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.
Marku dhe Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.