Ka ndodhur

Akuzohet për korrupsion, në pranga punonjësi i Kadastrës në Sarandë. Artan Lame kërkon ndjesë

Gazeta Si – Laert Pasha, specialisti i sportelit dhe arkivës në zyrat e AKSH-it në Sarandë është arrestuar këtë të mërkurë për korrupsion.

Policia thotë se 41-vjeçari akuzohet për veprën penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndalimi i tij u bë pas denoncimit në emisionin “Stop”, ku u shfaq përmes kamerës së fshehtë, duke i kërkuar ryshfet pronarit të një hoteli për t’i nxjerrë legalizimin.

Pas 3 vitesh, denoncuesi kishte mbajtur kontakte me Pashën, ish-Drejtorin e Legalizimit, i cili në Kadastër punonte si specialist dhe që këtë herë i kërkon 4000 euro për nxjerrjen e hipotekës së hotelit.

Për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i ka kërkuar falje qytetarëve, duke pohuar se ka shumë raste të tilla abuzimesh.

Ai shtoi se qytetarët të ankohen kur kanë të drejtë, ose në drejtoritë rajonale, ose te ai në Tiranë.

“Mund të them se duhet të jesh tërësisht idiot për të mos kuptuar se ç’po bëhet vitet e fundit, në luftën kundër korrupsionit, – u shpreh Lame. – Është rast i veçuar dhe jo i përhapur. Do i kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të institucionit që drejtoj. Do i kërkoj ndjesë edhe punonjësve të ndershëm të Kadastrës”.

Sipas Lames, pavarësisht rasteve të abuzimeve nga zyrtarët e Kadastrës, “nuk vihen në diskutim përpjekjet tona në këtë drejtim”.

Ai kujtoi se vitet e fundit në Sarandë janë larguar nga puna 8 punonjës të zyrës së Kadastrës.

“Ju nuk më keni parë të dal e të mburrem për shifra. Unë mundohem t’i largoj vetë personat problematik. Janë kallëzuar në prokurori 8 raste abuzimesh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë