Drejtësia

Akuzohet për korrupsion, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, e lidhur me grupet kriminale lihet në ‘arrest shtëpie’. Përlotet në sallën e gjyqit

Gazeta Si - GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për ish gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e dyshuar si e lidhur me grupet kriminale dhe e akuzuar për korrupsion.

Gjatë seancës, Fetahu është përlotur në sallën e gjyqit. “Për këto që më akuzoni nuk kam dijeni”, mësohet se është shprehur ish-gjyqtarja.

Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave tër kryer nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas njoftimit të SPAK, punonjësja e gjykatës u ka dhënë vëllezërve informacione sekret.

“Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut. Në operacionin e SPAK mase arresti u lëshua dhe për zv. Drejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.

Operacioni “Pumbi i Artë 2”, ku u përfshinë dhjetëra forca policie, është episodi i dytë i “Plumbit të Artë”, i nisur dy vjet më parë dhe që me dëshminë e Nuredin Dumanit, u kthye në një nga çelësat për të hapur kutitë e krimit.

Përgjimet dhe komunikimet që i përkasin viti 2020 në "Sky ECC", bindën prokurorët se duhet të kërkojnë 33 masa sigurimi personal.

Midis tyre personazhe të botës së krimit, vazhdojnë të jenë në kërkim si edhe zyrtarë aktualë apo ish zyrtarë policie.

Rrëfimet e të penduarve, janë përputhur në aplikacionet e bisedave të përgjuara, duke zbuluar emra bashkëpuntorësh të tjerë për 6 vrasje.

Si të zbardhura deklarohen krimi i trefishtë në Bradashesh, vrasja e Andi Zylyfit, vrasja e Klevi Brahos dhe vrasja e Klevis Kapllanit.

Në listën e gjatë të të kërkuarve, rikthehen Talo Çela dhe vëllezërit Hajdar e Franc Çopja, ndërsa ka masa edhe për Elio Bitrin, si dhe dy oficerë policie, ndërsa Martin Musaj, ish-zyrtar i burgjeve, dyshohet se u implikua edhe në sigurimin e mjeteve për të vrarë.

Edhe shefi i krimeve të Durrësit Agustin Çinari dyshohet se shpërdoroi detyrën, duke u bërë palë me anëtarët e organizatës kriminale Ai dyshohet se dha informacion.

“Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare", deklaron Prokuroria e Posaçme në një njoftim të shpërndarë të enjten, ku detajohet i gjithë historiku i saj, që nga vitet 2006 – 2007, kur nisën shpërndarjen e drogës në Itali, deri në fuqizimin shkallë-shkallë të organizatës, e cila vitet e fundit kishte arritur të pastronte paratë përmes skemave të sofistikuara.

“Me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve”, shpjegon Prokuroria e Posaçme, duke shtuar se “për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë”.

Vëllezërve Çopja iu atribuohet vrasja e trefishtë në dhjetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë dhe Endrit Alibej, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan.

“Qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm me të”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme.

Në përfundim të operacionit janë sekuestruar 42 pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4- katësh dhe katër llogari bankare, si dhe janë sekuestruar 1 milion euro cash të gjendura gjatë kontrollit në 8 banesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë