Gazeta Si – Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur sot në SPAK e shoqëruar nga avokati i saj.
Karçanaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për skandalin me tenderat publikë të AKSHI-t.
Ajo akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza edhe ndaj Ergys Agasi dhe biznesmenit Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj janë shpallur në kërkim prej disa mujsh. Ata dyshohet se kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, derisa ai pranoi të tërhiqej nga ankimimet që kishte bërë për disa tenderë shtetërorë te AKSHI.
Gjatë kontrolleve që SPAK ushtroi për arrestimin e Agasit, në vilën e tij zbuloi edhe një koleksion me 900 shishe verë në pronësi të tij, por që u zhdukën pa asnjë gjurmë.
Agjentët e BKH-së, të cilët ushtruan kontroll me urdhër të SPAK kishin konstatuar se pijet ishin pa pullë fiskale.
Për këtë, ata njoftuan Doganën, e cila bllokoi mallin, por pa e vënë atë në ruajtje, deri në momentin kur do duhet të shkonin për të tërhequr shishet e bllokuara.
Më herët, sipas dosjes hetimore të SPAK, janë publikuar disa regjistrime të kryera nga i pandehuri Ergys Agasi, ku vetë Karçanaj duket e filmuar në zyrën e tij me zë dhe figurë.
Ajo shihet në shoqërinë e Agasit dhe Ermal Beqirajt, të dy fitues të disa tenderave të AKSHI dhe të shpallur tashmë në kërkim.
Avokati i biznesmenit Ergys Agasi, Maks Haxhia deklaroi se klienti i tij nuk ka përfituar tendera nga AKSHI. Ai i ka kërkuar SPAK materialet e dosjes dhe shprehu kritika që ato më parë publikohen në media.
Një ditë më parë Gjykata e Posaçme ka zëvendësuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” me masat “detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-zëvendësdrejtoreshën e AKSHI-t, Hava Delibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje