Drejtësia

Akuzohet për fshehje pasurie, dënohet me 1 vit shërbim prove ish-gjyqtari Guxim Zenelaj

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme vendosi të dënojë me 6 muaj burg ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, i cili u shpall fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Por Zenelaj nuk rrezikon burgun, pasi në përfundim gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe lënien e tij në Shërbim Prove për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale.

Përveç kësaj, gjykata ka urdhëruar që Zenelaj të paguajë shpenzimet e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, të cilat kapin vlerën e 220,000 lekëve. Shpenzimet për hetimet paraprake dhe gjykimin janë ngarkuar mbi të pandehurin, si pjesë e dënimit.

Ai u tërhoq nga sistemi i drejtësisë përpara se  të përballej me procesin e Vettingut. Por në fund ai u përjashtua për 15 vite nga sistemi i drejtësisë sipas parashikimeve të ligjit. 

Në vitin 2016, ai deklaroi në deklaratën e pasurisë 18 apartamente dhe tre njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë, të cilat u konfiskuan nga Gjykata e Posaçme në tetor 2023.

Si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme, gjyqtari referoi një kontratë me një kompani të caktuar, por nuk dha të dhëna se sa është vlera e kontratës si dhe për burimin e parave që mbulojnë vlerën e kontratës.

Po ashtu ai deklaroi 30 mijë euro të ardhura nga dhënia me qira e një lokali dhe ambienteve për banim në Shëngjin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë