Ngjarje

Akuzohen se kanë dhunuar 14-vjeçarin brenda Komisariatit, dërgohen në Prokurori 3 policë

Nga Gazeta Si- Policia ka reaguar një ditë pasi Komiteti i Helsinkit, përmes një deklarate zyrtare, ka kërkuar që të hetohej rasti i dhunës në Komisariatin numër 1 në Tiranë ndaj një 14-vjeçari, i cili më 12 prill ishte shoqëruar nga policia pasi ishte kapur duke hedhur kapsolla.

Policia e Tiranës informon se një ditë pas shoqërimit të të miturit dhe pretendimeve të tij për dhunë, ka nisur hetimi disiplinor ndaj 3 efektivëve për shkelje të rëndë:

-Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;

-Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;

-Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, policia thotë se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërkohë, sipas policisë, edhe Drejtoria e Standarteve Profesionale ka nisur një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë