Drejtësia

Akuzohen për shkelje në tenderë, SPAK çon për gjykim 6 ish-zyrtarë të ARRSH

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion, ka mbyllur hetimet për 6 ish-zyrtarë, të dyshuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera”.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë kryer një sërë shkeljesh për disa procedura tenderimi të ARRSH-së. Këto të fundit, janë zhvilluar në një periudhë kohore 3-vjeçare. (2019-2021).

Bëhet fjalë për tenderin me vlerë 22 mln euro që është dhënë në vitin 2019 për rehabilitimin e Unazës së Re, ku në hetim janë ish-zyrtarët: Arbër Troka; Miranda Shkurti; Nikollaq Mihalli; Erion Zemanaj; Almir Hoxhaj; Admir Pahumi.

Të gjithë akuzohen se kanë kryer shkelje proceduriale sa i takon tenderimit të një segmenti në Unazën e Re.

Ndaj tyre rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë”. Bëhet fjalë për një tender me fond limit 22 milionë euro për ndërtimin e një segmenti në Unazën e Re.

Tashmë pritet vendimi i gjykatës së posaçme nëse do ta kalojë për gjykim dosjen, do ta kthejë për plotësim hetimesh, apo do ta pushojë çështjen.

Në njoftimin e SPAK, përmendet edhe një segment rrugor i Unazës së Re të Tiranës.

“Procedimi penal 175/1/4-2025 bën fjalë për procedurën e prokurimit me objekt: “Rehabilitim i segmentit rrugor “Mbikalimi pallati me shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja”, Loti 1 me fond limit 2,250,950,653.25 Lekë pa (tvsh) me nr. REF-26436-06-13-2019. Nga analizat e provave dhe të dhënave të grumbulluara, rezulton e provuar se gjatë kryerjes së procedurës së mësipërme të prokurimit, e zhvilluar nga ARRSH, të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat ligjore të shtetit”, thotë Prokuroria e Posaçme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë