Gazeta Si –Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Safet Bajri, vëllain e tij Behar Bajri dhe Asmer Bilalin (dy të fundit në qeli prej një viti për dosjen “Metamorfoza”), të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018.
Avokati i Safet Bajrit, tha se klienti i tij ishte dorëzuar vetë dhe se nuk ka pasur ndonjë operacion për kapjen e tij.
Ndërsa rrëfeu mes të tjerash se ka dhënë edhe gjurmë të ADN-së tij, e cila i është kërkuar për të ballafaquar provat e gjetura në vendngjarje për vrasjen e Fatbardh Licit. “Kjo është pjesë e hetimit, ai i ka dhënë analizat e ADN-së sa herë është proceduar. Ajo analizë nuk ndryshon!”.
Behar Bajri dhe Asmer Bilali ndodhen të arrestuar që prej 2023-it në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’ ku u zbuluan ngjarje të shumta kriminale në të cilat ishin përfshirë edhe zyrtarë policorë.
Prokuroria e Posaçme i akuzon për “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Të premten e 23 shkurtit, Safet Bajri mbërriti në ambientet e bllokut të sigurisë në Tiranë ku u shfaq i buzëqeshur teksa shoqërohej nga efektivët e RENEA-s.
Prokuroria e Posaçme sqaroi në një komunikim zyrtar se kishte arritur të dokumentonte që vrasja e Fatbardh Licit, ishte organizuar pasi Behar Bajri bënte përgjegjës Ibrahim Licin, nipin e Fatbardhit për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana dhe të gruas së tij.
Dy të fundit u vranë në makinë në sy të fëmijës së tyre të mitur në korrik të po atij viti dhe ishin njohje e ngushtë e Bajrit.
Një seri vrasjesh u konsideruan prej vitesh në kryeqendrën e veriut si pasojë e përplasjes së dy familjeve Bajri e Lici, por kjo është dosja e parë, ku hetuesit thonë se kanë prova që e dokumentojnë.
Vrasja e Fatbardh Licit e ndodhur në 2018-ën dyshohet të jetë ndër ngjarjet e para që më pas sollën zinxhirin e vrasjeve në përplasjet e përgjakshme mes fisit Lici e Bajri në Shkodër. Policia po e heton Safet Bajrin edhe për masakrën e Dobraçit pavarësisht se ai e ka mohuar përfshirjen e tij.
Dy ditë para se të arrestohej, Bajri doli në një emision televiziv ku pretendoi se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet për të cilat e akuzonin dhe emri i tij përmendej shpesh në media.
Pas këtyre deklaratave, me urdhër të SPAK, RENEA shoqëroi Bajrin drejt ambienteve të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.