Drejtësia

Akuzohej për deklarim të rremë, GJKKO shpall të pafajshme anëtaren e KPK, Etleda Çiftja

Nga Gazeta Si – Gjykata e Posaçme deklaron të pafajshme anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Etleda Çiften.

Gjykata pranon faktin e kryerjes së veprimeve fiktive nga Çiftja, por, sipas gjykatës, në ndryshimin e shifrës së vlerës së një sipërfaqe trualli, është bërë në marrëveshje mes palëve kontraktore.

“Ka qenë kërkesa e bankës për kryerjen e veprimit simulues”, arsyetoi gjykata.

SPAK kërkonte dënimin me 1 vit burg për Etleda Çiften, të konvertuar në 2 vite Shërbim Prove, të akuzuar për “falsifikim të dokumenteve” dhe për “deklarim të rremë të pasurisë”.

Sipas SPAK, Çiftja ka bërë deklarim të rremë në deklaratat e saj në ILDKP në lidhje me burimin e të ardhurave për blerjen e dy sipërfaqeve trualli.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se dy sipërfaqet e truallit Çiftja i ka blerë nga familjarët e saj, me qëllim krijimin e një situate fiktive për të marrë një kredi për blerjen e një apartamenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë