Drejtësia

Akuzat për urën, shkon për gjykim çështja ndaj ish-kryebashkiakes së komanduar të Tropojës

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj dhe ndërtuesit Rrok Gegaj, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv lidhur me tenderin e ndërtimit të një ure në fshatin Luzhë.

Vendimi u mor gjatë seancës paraprake të zhvilluar më 25 nëntor 2025, nën drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Prokuroria ngarkon ndërtuesin me akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ish-kryetarja Zyra Islamaj akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të dyja parashikuar nga nenet përkatëse të Kodit Penal.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur që çështja të gjykohet nga një trup tjetër gjykues i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Vendimi është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.

Gjatë hetimeve, SPAK arriti në përfundimin se Zyra Islamaj, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, dyshohet se ka tentuar të favorizojë përmes një procedure tenderimi ndërtimin e një ure që do t’i shërbente interesave të familjarëve të saj.

Hetuesit kanë konstatuar se ajo ka ndërhyrë te ndërtuesi Gegaj, me qëllim ngritjen e urës mbi përroin që kalon pranë banesës së motrës së saj. Edhe tenderi për ndërtimin e urës u fitua nga kunati i saj, Rrok Gega.

Po kështu, ajo ka planifikuar të angazhonte teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve për të ndihmuar ndërtuesin.

Gega, ka pohuar se ngritja e kësaj ure, nuk ka qenë në procedurat e tenderimit, e do të ishte një dhuratë ndaj kryebashkiakes së Tropojës.

Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë.

Demiraj ishte larguar nga puna pasi nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me kryebashkiaken e përkohshme për të ndërtuar urën që do t’i shërbente familjes së motrës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë