Drejtësia

Akuzat për tenderët e AKSHI-t, avokati i Ergys Agasit: Duan t’ia hedhin çelësat në det pa prova!

Gazeta Si – Avokati Maks Haxhia, ka mohuar akuzat ndaj klientit të tij, Ergys Agasi, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe absurde.

Në një deklaratë për mediat nga SPAK, ku kishte shkuar të njihej me dosjen hetimore, Haxhia thekson se Agasi nuk ka ushtruar asnjëherë funksion publik dhe, për rrjedhojë, nuk mund të mbahet përgjegjës për çështje që lidhen me tendera apo vendimmarrje shtetërore.

“Akuzat ndaj Ergys Agasit janë absurditete. Po i ngrihen akuza për tendera një njeriu që nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë funksion publik”, u shpreh Haxhia, duke shtuar se klienti i tij nuk ka pasur kurrë pushtet vendimmarrës në institucionet shtetërore.

Sipas avokatit, Ergys Agasi aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa thekson se deri më tani nuk ekziston asnjë provë konkrete që të mbështesë akuzat e ngritura ndaj tij. “Nuk ka asnjë provë për akuzat që i ngrihen. Për këtë arsye, besoj se nuk është i çmendur që të vijë të paraqitet. Agasi i ka mbaruar punët e veta, por në këtë terren vetëm po të jetë një njeri që do që t’ja hedhin çelësin në det, mund të vijë që të paraqitet në organet e drejtësisë”.

Maks Haxhia theksoi se ka pasur komunikim me familjarët e Agasit, të cilët sipas tij janë të rënduar psikologjikisht nga mënyra sesi çështja është trajtuar në publik. “Unë komunikimet i kam me familjarët e tij dhe ata janë të ngarkuar nga materialet që janë përhapur dhe nga mënyra sesi janë servirur në publik”, u shpreh ai.

Në fund të deklaratës, Haxhia theksoi se paraqitja ose jo e Ergys Agasit në SPAK është një e drejtë ligjore e tij. “Është e drejta e Agasit që të paraqitet apo jo në SPAK”, deklaroi avokati.

SPAK e akuzon Ergys Agasin për përfshirje në një skemë të dyshuar manipulimi të tenderave publikë pranë AKSHI-t, në bashkëpunim me zyrtarë dhe biznesmenë të tjerë. Akuzat lidhen me shkelje të barazisë në tendera dhe ndikim të paligjshëm në procedurat e prokurimit publik.

Në këtë hetim, veç shefes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Mirlinda Karçanaj dhe zëvendëses së saj, Hava Delibashi që mbahen nën “arrest shtëpie”, 3 biznesmenëve u ndalohet të dalin jashtë vendit, ndërsa një Erion Ismaili, zv,drejtori i Policisë së Tiranës, vazhdon të jetë i pezulluar nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë