Futboll

Akuzat për përdhunim, Ronaldo mbrohet nga Juve, por rrezikon nga sponsorët

Akuzat për përdhunim janë duke u kthyer në një problem shumë serioz për Cristiano Ronaldo. Sulmuesi portugez akuzohet nga një shtetase amerikane e quajtur Kathryn Mayorga, se ka abuzuar seksualisht me të në vitin 2009. Ronaldo këto akuza i ka mohuar menjëherë në mënyrë kategorike. Futbollisti 33-vjeccar është mbrojtur edhe nga klubi i tij Juventus, që i konsideron këto akuza si të pabaza, por mund të rrezikojë nga sponsorët e tij.

Përmes dy postimeve në rrjetin social twitter, Juventus ka dalë në mbështetje të sulmuesit të tyre, për të cilin investuan 105 milionë euro këtë verë.

“Ronaldo ka treguar në këto muaj që është në Torino një profesionalizëm të lartë, që nga klubi ynë vlerësohet shumë. Ngjarjet që supozohen që kanë ndodhur 10 vite më parë nuk e ndryshojnë këtë mendim. Tek të gjithë në klubin tonë, por edhe tek tifozët është krijuar mendimi se ai ëhstë një kampion i madh.”- ka shkruar Juventus në dy postime të njëpasnjëshme në rrjetet sociale. Kjo mbështetje e Juventus vjen në një moment, kur portugezi mungoi për shkak kartoni në sfidën me Young Boys në Champions League.

Vetë portugezi pas reagimit në Twitter dhe Facebook, ka dalë edhe në një video në rrjetin social, Instagram duke mohuar sërish një akuzë të tillë. ” Unë mohoj në mënyrë definitive që emri im të lidhet me këtë histori. Përdhunimi është një krim i shëmtuar që shkon kundër parimeve të mia dhe familjes sime. Ata thjesht duan të përdorin emrin tim për t’u bërë të famshëm dhe asgjë më shumë.”- ka thënë portugezi.

Por çështja nuk paraqitet shumë e thjeshtë për Cristiano Ronaldo, pasi ai me kalimin e ditëve po fillon të ndjejë presionin që vjen nga sponsorët. E para që ka shprehur shqetësim për këtë çështje ka qenë kompania e veshjeve Nike, që është një sponsorët më të mëdhenj të portugezit. “Ne jemi shumë të shqetësuar për këtë situatë dhe do të vijojmë ta monitorojmë nga afër situatën.” Sipas medieve italiane Nike nuk do të jetë i vetmi sponsor i Ronaldo që mund të rishikojnë pozicionin karshi portugezit, pasi edhe kompanitë e tjera mund të tërhiqen nëse historia vazhdon. Gjatë ditës së enjte në konferencë për mediet ka dalë avokati i Kathryn Mayorga, Leslie Mark Stovall që ka mbrojtur linjën e klientes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë