Nga Gazeta 'Si'- Mbledhja në Këshillin për Mandatin, Imunitetin dhe Rregulloren, ku u diskutua për mandatin e deputetit të PS, Vullnet Sinaj, është shoqëruar me akuza dhe debate.
Opozita kërkon heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, duke e akuzuar se përmes bizneseve të tij ka përfituar 36 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Sinaj tha se demokrati Gazment Bardhi po e akuzonte pa prova dhe po sulmonte padrejtësisht biznesin e tij të ndershëm. Madje Sinaj tha se Bardhi “e ka ves gënjeshtrën”, gjë që nuk u prit mirë nga deputeti i PD.
"Unë kur bëj një denoncim e kam tërësisht të provuar. Nuk flas kurrë pa pasur dokumentin", iu përgjigj Bardhi.
Mandej, Sinaj deklaroi se nuk do të largohet nga politika. Një gjë e tillë u përfol në Kongresin e PS në korrik, kur Rama tha se nuk do kandidojë më, por pas akuzave të opozitës të cilët kërkojnë heqjen e mandatit të tij, Sinaj i tha Bardhit se vitin tjetër do jetë deputet.
Ai tha se kishte plan të largohej nga politika, por Bardhi e riktheu.
Pjesë nga debati:
Sinaj: Nuk i ke sjellë provat, ke bërë një mocion që i ke ngritur si prova. Sot që ti diskuton me mua, kompania ime është donatore me buxhetin e shtetit. Kjo është ajo që unë erdha në politikë, si biznesmen. Erdha për të punuar për shqiptarët, ato donacione që ka bërë kompania ime, kanë vajtur për interesa shqiptare.
Je deputet i të djathtës, po sulmon një biznes të ndershëm, jo mua si deputet. Merresh me mua për gjëra që janë për të qeshur. Do të godasësh një biznes të ndershëm dhe kjo është një nga tiparet e tua dhe vesit që i shton gjërat. Gënjeshtrën të thonë dhe gazetarët që e ke ves. Ta kanë thënë të gjithë.
Bardhi: Nuk më shqetëson fare përbaltja e asnjë gazetari. Me qetësi dhe profesionalizëm i kam shkuar të vërtetës sime deri në fund. Gjer më sot i nderuar koleg nuk ka rezultuar që ndonjë denoncim të ketë dalë ndryshe. Unë kur bëj një denoncim e kam tërësisht të provuar.
Nuk flas kurrë pa pasur dokumentin. Për biznesin tuaj nuk e kam baltosur, nuk është në tagrin tim të merrem me biznese private. Ama nëse më thua është për të qeshur të shkelësh kushtetutën, për mua është shumë serioze. Dhe një këshillë, më mir lër avokaten të flasë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.