Politike

Akuzat për ‘listën e zezë’/ Spiropali-opozitës: Përgjigjen e morët me ftesën për Bordin e Paqes

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali iu përgjigj të gjitha akuzave se Shqipëria do duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Spiropali tha se ky është trillim, duke theksuar se një ftesë e tillë është diçka me peshë historike për Shqipërinë.

Për Spiropalin, kjo ftesë është një përgjigje direkte nga Trump për opozitën, e cila prej kohësh artikulon se raportet mes dy vendeve nuk janë të mira e madje se Shqipëria u fut në listën e zezë me vendimin për pezullimin e vizave migratore për 75 vende.

Spiropali tha se ata që sipas saj u turrën të helmojnë publikun, e kanë marrë përgjigjen direkt nga Trump, i cili ka nënshkruar se në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm.

“Di me siguri që në Argjentinë, as në Turqi, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë numrit të anëtarëve të bordit të paqes. Nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat dhe me peshën e tyre gjeopolitike kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme me përmasë dhe peshë historike. Ne e shohim si një përpjekje për të shkuar përtej deklaratave politike në kërkimin e zgjedhjes së qëndrueshme të konfliktit. Modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkësisë fetare janë vlerë e shtuar që Shqipëria do e çojë edhe në bordin e paqes me statusin e anëtarit themelues.

Sipas statusit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik. Kjo ftesë është përgjegjësi e lartë shtetërore. Kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë fabrikimet lidhur me qasjen e administratës Trump ndaj qeverisë tonë apo vetë kryeministrit, të cilat kulmuan me dezinformatat për vendimin e rishikimit të politikës të qëndrimit të lejeve të punës për gati gjysmën e vendeve që SHBA kanë marrëdhënie diplomatike.

Ata që u turrën ta helmojnë publikun se SHBA na vendosi në listën e zezë, e kanë marrë përgjigjen, as më shumë e as më pak, por direkt nga Trump që ka nënshkruar në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm dhe Rama udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë