Politike

Akuzat nga SPAK, Balluku: S’do më dëgjoni kurrë fjalë kundër drejtësisë

Nga Gazeta Si- Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, tha në Kuvend se nuk do të flasë kurrë kundër drejtësisë ndonëse është prekur personalisht, referuar hetimit të SPAK për tunelin e Llogarasë.

Teksa mori fjalën, Balluku tha se i duhet të thotë disa fjalë jo për të kompensuar baltën, aludimet dhe gjysmat të vërtetat dhe gënjeshtrat me bollëk që janë thënë këto kohë, por për detyrimin ndaj kujtdo.

“Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje dhe as kërcënime për drejtësinë e re edhe kur prekem personalisht. As lëvdata e himne pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re është duke kryer misionin për të cilin u reformua”, tha Balluku, duke shtuar nuk do e dëgjojmë kurrë “të merret me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon”.

Balluku tha edhe se nuk do të prononcohet kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjekë me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo.

“Ajo reformë ka marrë mbështetjen se çdo socialisti, ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë