Politike

Akuzat në emisionin në RAI 3, Rama: Ishte baltë për Shqipërinë e prodhuar në Tiranë, disa nuk na e falin dot suksesin, përdoren figura të errëta (video) 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbi emisionin e RAI 3 për Shqipërinë. Edhe pse akuzat ishin për kryeministrin Edi Rama, ky i fundit tha se përmbajtja e atij emisioni ishte baltë ndaj Shqipërisë. Rama e percolli reagimin përmes nje video-mesazhi 11 minutash.

"Kishte në përmbajtje shumë baltë për Shqipërinë e prodhuar këtu në Tiranë për luftën politike ndaj meje dhe qeverisë sonë. Gjithë ajo baltë  eksportuar nga këtu në Itali, e ekspozuar në ekranin e shërbimit publik në Itali, pa asnjë interes për publikun italian, ishte një baltë e pamerituar për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Shqipëria nuk është me ajo që ishte, por disa që janë mësuar ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botës së tretë s’na e falin dot suksesin. As e kanë imagjinuar që Tirana do bëhej kjo që vetëm sa ka filluar të dukej", tha ndër të tjera Rama.

Rama deklaroi se investigimi i RAI3 ka përdorur figura të errëta, një të arratisur nga drejtësia e re (Arben Ahmetaj) dhe një kriminel italian të dënuar me 17 vite burg.

“Po me kë e kishin ata?  Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj janë dënuar si të lidhur me mafian, ata shkelin jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror.

Në bashkëpunim me një grusht shqiptarësh pa atdhe, pa fe, pa din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. U përdorën si  heronj të shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuari nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor si opinionist një veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh pa asnjë lloj fakti.

Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujrave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike që i shërbejnë asaj llumpolitike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nuk nxori pseudo investigimi italo-shqiptar, po vetëm mbarsi malin për të pjellë një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po “epo ka akuza”!, tha Rama


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë