Politike

Akuzat ndaj qeverisë në RAI3, Bardhi: Rama të japë dorëheqjen, të enjten debat parlamentar

Kryetari i grupit Parlamentar të PD së Rithemelimit, Gazment Bardhi thotë se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe autoritetet e drejtësisë duhet ta marrin atë nën hetim, duke e akuzuar për fuqizimin e krimit të organizuar, pas emisionit investigativ “Report” në RAI3.

“Lidhja e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe caktimi prej tij i Ergys Agasit si i deleguar i posaçëm për marrëdhëniet me organizatat kriminale nga Durrësi në Shkodër, nga Elbasani në Vlorë, është zyrtarizimi i dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar. Kjo minon demokracinë dhe vendos seriozisht në rrezik ekzistencën e shtetit. Janë po të njëjtat lidhje që dyshohet se kanë shndërruar edhe Shërbimin Informativ të Shtetit në një organizëm në duart e krimit të organizuar, duke zhbërë rolin kushtetues dhe ligjor të këtij institucione.

Investigimi i emisionit Report në Rai 3, si dhe pasqyrimi në mediat e tjera ndërkombëtare të këtij realiteti të trishtë për vendin dhe të ardhmen e tij europiane, meriton një trajtim serioz nga Kuvendi, sa kohë njeriu përgjegjës, Kryeministri Edi Rama, vijon në papërgjegjshmërinë e tij, të bëjë sikur nuk sheh dhe nuk dëgjon. Edhe gazeta serioze BILD konfirmon se hetuesit gjerman dyshojnë për përfshirjen e Olsi Ramës në trafikun e kokainës në Hanovër, veprimtari kriminale kjo e lidhur me ngritjen e laboratorit të Xibrakës”, shkruan Bardhi.

Më tej ai njofton se, grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debati parlamentar të enjten mbi këtë çështje.

“Edi Rama duhet të jap dorëheqjen. Ai duhet të merret nën hetim për rolin e tij në lidhje me fuqizimin e krimit të organizuar, që gjatë qeverisjes së tij 11 vjecare, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave dhe statusit të investitorit strategjik. Edi Rama është sponsorizuesi politik i përfshirjes së krimit të organizuar në Parlament dhe qeverisje, duke i dhënë atyre statusin e të paprekshmëve për 11 vjet. Heshtja e institucioneve përgjegjëse ligjzbatuese është bashkëfajësi!”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë