Nga Gazeta ‘Si’- Pas problemeve me zarfet e fletëve të votimit në Greqi, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë që të marrin zarfet dhe të mos e humbasin këtë mundësi që ai e cilëson historike për të dhënë votën e tyre.
Rama pranoi se ka pasur probleme me shpërndarjen e zarfeve, por siguroi se situata është zgjidhur dhe qytetarët mund t’i tërheqin ato nga pikat e shpërndarjes.
“Desha të përcjell një thirrje lutje e mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Ka pasur një problematikë me shpërndarjen, por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë, zarfet janë shpërndarë në destinacion dhe keni të gjitha informacionet për të kuptuar se çfarë do të bëni dhe për të mos përtuar t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes së kompanisë”, tha ai.
Rama akuzoi opozitën se po tenton të hedhë baltë mbi procesin, duke ironizuar zërat që pretendojnë për manipulime me zarfe dhe duke i quajtur “klithma të bufit të kënetës”.
“Është gjynah që pasi keni bërë mundimin për t’u regjistruar të mos merrni mundimin për të votuar. E keni parë klithmat e bufit të kënetës u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga salamandrat blu kishte nxjerrë ca zarfe në rrugë dhe pretendonte se ishin zarfe të kapur nuk e di sesi e nga kush.
Drejtuesi politik për diasporën ka bërë një sqarim që zarfe mund të mbledhësh edhe nga shtëpia jote dhe kur je skllav i bufit dhe shtëpinë tënde e kthen në llogore kënete dhe të thuash që këto i bën regjimi, por këto nuk i ha njeri. Prandaj të fokusohemi dhe të shtyjmë Shqipërinë përpara dhe përshpejtojmë tharjen e asaj kënete që është fatkeqësi kombëtare një plagë antieuropiane në trupin e Shqipërisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.