Gazeta “Si” – Në Kuvend u zhvillua sot interpelanca e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, lidhur me projektin e restaurimit dhe rikualifikimit urban të zonës TID në Durrës.
Nga foltorja, Zhupa e cilësoi projektin si një “plan pushtues”, që sipas saj fshihet pas retorikës së përmirësimit të turizmit, por në realitet “dëmton rëndë trashëgiminë kulturore të qytetit”.
Pas debatit në Kuvend, ministri Blendi Gonxhja reagoi përmes një postimi në Facebook, ku dha sqarime për projektin, duke mohuar akuzat e deputetes dhe duke theksuar se ndërhyrjet synojnë zhvillim dhe jo cenim të trashëgimisë.

Në reagimin e tij, Gonxhja shkruan:
“Projekti TID Durrës synon riqendërzim të zonës arkeologjike, për ta kthyer atë në një motor të ri zhvillimi për të gjithë qytetin, duke krijuar një park të madh arkeologjik urban. Projekti siguron rrugë dhe sheshe të organizuara, duke i kthyer bulevardet dhe rrugët tregtare në gjurmë historike për qarkullim të orientuar, konsum tregtar, turizëm dhe zhvillim ekonomik. Integrimi i Amfiteatrit Antik në një park arkeologjik modern, restaurimi i shtëpive tradicionale, rivitalizimi i hapësirave publike dhe krijimi i një modeli të ri mikpritjeje dhe orientimi për vizitorët janë dëshmi e punës së kujdesshme dhe të pandërprerë për t’i sjellë Durrësit dinjitetin që i takon si destinacion mesdhetar”.

Ai thekson në reagim se procesi do të jetë tërësisht transparent.
“Ky projekt ruan çdo vlerë historike, ndërton një ekonomi të re përmes kulturës dhe turizmit, rrit atraktivitetin e qytetit dhe krijon mundësi të reja për banorët dhe bizneset. Një proces transformues i cili do të çohe përpara nëtransparencë të plotë me publikun”, – mbyll reagimin Blendi Gonxhja

Me këtë reagim, ministri Gonxhja synon të adresojë shqetësimet e ngritura në Kuvend dhe të sqarojë opinionin publik për qëllimet dhe përmasat e projektit TID Durrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




