Gazeta Si – Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka dalë në mbështetje prokurorëve të SPAK-ut, lidhur me sulmet e fundit, në veçanti ndaj prokurorit Olsi Dado, i cili po ndjek çështjen e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar dhe në hetim për korrupsion dhe fshehje të pasurisë.
Në reagimin e KLP, thuhet se deklaratat e bëra nga media të ndryshme dhe persona të përfshirë në hetim apo të akuzuar, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare.
“KLP shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës”.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional.
Për raportimet në media, rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor”, shkruhet në mbyllje të reagimit të KLP.
Përplasja mes Veliajt dhe Dados u përshkallëzua një ditë më parë, pasi kryebashkiaku publikoi një regjistrim audio të seancës gjyqësore të 12 shkurtit kur u caktua masa e sigurisë.
Veliaj pretendon se gjatë replikave me prokurorin e SPAK, Olsi Dado, ai e ka fyer, duke e quajtur “ndyrësirë”.
Më herët Veliaj publikoi në Facebok zbardhjen, që sipas tij ka dalë nga proceverbali i seancës, ku gjenden edhe fyerjet e prokurorit.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Shihni çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi (gjyqtari) duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorëm nga dera, nuk duhet toleruar më”.
Por nuk ka vonuar reagimi i Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut, të cilët kanë publikuar proces-verbalin nga seanca në fjalë. Ato e quajnë të pavërtetë këtë pretendim të Veliajt.
“S’ke turp që thua banesën e prokurorit. Ça është kjo? Kërcënim është ky që tregon në banesën e prokurorit”, është pasazhi i zbardhur nga seanca në procesverbal.
“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment”, – thuhet në reagimin e GJKKO.
Veliaj ka reaguar sërish pas këtij reagimi duke këmbëngulur se është fyer në sallën e gjyqit.
“Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.