Politike

Akuzat e Berishës ndaj Agaçit, Rama: Ka probleme të rënda shëndetësore! Ndodhet në Itali

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot për herë të parë akuzave të ardhura nga opozita për arratisjen nga Shqipëria të Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Sipas Ramës, këto janë shpifje, ndërsa theksoi se Agaçi ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Itali dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore që siç shprehet ai “kaloi tehun mes jetës dhe vdekjes”.

Ai shtoi se Agaçi ka kaluar një operim në zemër pas bllokimit të arterieve koronare.

“Prej ditësh, këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin. Ka marrë peng, gruan, vajzën e tij, nënën e tij, familjen e të afërmit e tij, me ferman të ‘bufit’ që e shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë një person në arrati nga drejtësia.

Me tam-tamet e mushkonjave të ‘kënetës’ që hodhën helmin e marrjes së laptopit të sekretarit. Agaçi u nis para disa kohësh në Itali për arsye të forta shëndetësore. Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes si pasojë e një bllokimi të artierieve koronare u operua në zemër e më pas pati dalje të mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar.

Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ai vazhdon të jetë nën mbikqyrjen e mjekëve italianë për të rehabilituar mushkëritë e dëmtuara rëndë. I sëmuri që lufton për jetën andej është bërë mish për qoftet e natës këtu, vetëm se vetëm se hyri në gojën e ‘bufit’. Kurrë mos e votofshin PS-në ata që nuk na duan, por çfarë shqiptarësh e njerëzish janë që akoma mbajnë në jetën politike të vendit një karikaturë njeriu. Është e pabesueshme që mes ‘kënetës së bufit’ dhe Shqipërisë në BE të zgjedhësh ‘kënetën’. Mëkat i madh”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë